Index   Back Top Print

[ DE  - EN  - ES  - FR  - IT  - PL  - PT  - SQ ]

Dita XLIX Botërore e Lutjes për Thirrjet:
mesazhi i Atit të shenjtë për DBLTH XLIX

THIRRJET DHURATË E DASHURISË SË HYJIT

 

Të dashur vëllezër e motra!

Dita XLIX Botërore e Lutjes për Thirrjet, që do të kremtohet më 29 prill 2012, të dielën e katërt të Pashkëve, na fton të reflektojmë mbi temën: Thirrjet dhuratë e Dashurisë së Hyjit.

Burimi i çdo dhurate të përsosur është Hyji Dashuri – Deus caritas est -: «kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të» (1 Gjn 4,16). Shkrimi i Shenjtë tregon historinë e kësaj lidhjeje zanafillore mes Hyjit dhe njerëzimit, që i paraprin edhe vetë krijimit. Shën Pali, duke u shkruar të krishterëve të qytetit të Efezit, lartëson një himn mirënjohjeje dhe lavdi ndaj Atit, i cili me dashamirësi të pafundme përgatit gjatë shekujve aktualizimin e planit të tij universal të shëlbimit, që është plan dashurie. Në Birin Jezus – pohon Apostulli – Ai «na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri» (Ef 1,4). Ne jemi të dashur prej Hyjit “para” se të vijmë në ekzistencë! I nxitur vetëm prej dashurisë së tij të pakushtëzuar, Ai na ka “krijuar nga asgjëja” (krh. 2Mak 7,28) për të na çuar në bashkimin e plotë me Vetveten.

I mahnitur pa masë para veprës së provanisë së Hyjit, Psalmisti thërret: “Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti i vendose, çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?” (Ps 8,4-5). E vërteta e thellë e ekzistencës sonë, pra, përmbahet në këtë mister befasues: çdo krijesë, në veçanti çdo person njerëzor, është fryt i një mendimi dhe i një akti dashurie të Hyjit, dashuri e pafundme, besnike, e amshuar (krh. Jer 31,3). Zbulimi i këtij realiteti është ajo që e ndryshon me të vërtetë jetën tonë në thellësi. Në një faqe të shkëlqyer të Rrëfimeve, shën Agustini e shpreh me forcë të madhe zbulimin e vet të Hyjit bukuri e pafundme dhe dashuri e pafundme, një Hyj që i kishte qenë gjithmonë afër, por të cilit më në fund po ia hapte mendjen dhe zemrën për t’u shndërruar: “Vonë të desha, bukuri kaq e vjetër dhe kaq e re, vonë të desha. Po, sepse ti ishe brenda meje dhe unë jashtë. Aty të kërkoja. I deformuar hidhesha mbi format e bukura të krijesave të tua. Ishe me mua, dhe nuk isha me ty. Më mbanin larg teje krijesat e tua, që s’do të ekzistonin po të mos ekzistonin në ty. Më thirre, dhe thirrja jote e theu shurdhërinë time; shkëlqeve, dhe shkëlqimi yt e flaku tutje verbërinë time; shpërndave erën tënde të mirë, dhe mora frymë e të dëshiroj ty, shijova e kam uri e etje; më preke, dhe u dogja prej dëshirës për paqen tënde” (X, 27.38). Me këto imazhe Shenjti i Iponës mundohet ta përshkruajë misterin e pashprehshëm të takimit me Hyjin, me dashurinë e Tij që e shndërron gjithë ekzistencën.

Bëhet fjalë për një dashuri pa rezerva e cila na paraprin, na mbështet e na thërret gjatë rrugës së jetës, dhe e ka rrënjën e vet në dhurimin falas absolut të Hyjit. Duke iu referuar veçanërisht shërbesës meshtarake, paraardhësi im, i Lumi Gjon Pali II, pohonte se «çdo gjest shërbestar, ndërsa na bën ta duam dhe t’i shërbejmë Kishës, edhe na nxit të piqemi gjithnjë e më shumë në dashurinë dhe në shërbimin ndaj Jezu Krishtit Krye, Bari dhe Dhëndër i Kishës, një dashuri që paraqitet gjithmonë si përgjigje ndaj asaj pararendëse, të lirë e falas të Hyjit në Krishtin» (Nxit. ap. Pastores dabo vobis, 25). Në të vërtetë, çdo thirrje e veçantë lind prej nismës së Hyjit, është dhuratë e Dashurisë së Hyjit! Është Ai që e kryen “hapin e parë” dhe jo për arsye të një mirësie të veçantë që gjen në ne, por për arsye të pranisë së vetë dashurisë së tij «të ndikuar në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt» (Rom 5,5).

Në çdo kohë, në burimin e thirrjes hyjnore gjendet nisma e dashurisë së pafundme të Hyjit, që shfaqet plotësisht në Jezu Krishtin. Sikurse kam shkruar në Enciklikën time të parë Deus caritas est, «Vërtet ekzison një dukshmëri e shumëfishtë e Hyjit. Në historinë e dashurisë që Bibla na tregon, Ai na del përpara, kërkon të na bëjë për Vete - deri në Darkën e Fundit, deri në Zemrën e shporuar në kryq, deri në shfaqjet e të Ngjallurit dhe në veprat e mëdha përmes të cilave Ai, nëpërmjet veprimit të Apostujve, ka udhëhequr ecjen e Kishës që po lindte. Edhe në historinë e mëvonshme të Kishës Zoti nuk ka munguar: gjithnjë rishtazi Ai na del përpara - nëpërmjet njerëzve në të cilët Ai tejduket; nëpërmjet Fjalës së Vet, në Sakramente, veçanërisht në Eukaristi» (nr. 17).

Dashuria e Hyjit mbetet përgjithmonë, është besnike ndaj vetvetes, ndaj «premtimit që ua bëri një mijë breznive» (Ps 105,8). Prandaj, duhet t’ua rishpallim, veçanërisht breznive të reja, bukurinë tërheqëse të kësaj dashurie hyjnore, që paraprin dhe shoqëron: ajo është shtytja e fshehtë, është motivimi që nuk mungon kurrë, edhe në rrethanat më të vështira.

Të dashur vëllezër e motra, pikërisht kësaj dashurie duhet t’ia hapim jetën tonë, dhe pikërisht në përsosmërinë e dashurisë së Atit (krh. Mt 5,48) na thërret Jezu Krishti çdo ditë! Në të vërtetë, masa e lartë e jetës së krishterë do të thotë të duam “si” Hyji; bëhet fjalë për një dashuri që shfaqet në dhurimin e plotë besnik e të frytshëm të vetvetes. Eprores së manastirit të Segovisë, që ishte e mërzitur për situatën dramatike të pezullimit në të cilën ai gjendej ato vite, Shën Gjoni i Kryqit i përgjigjet duke e ftuar që të vepronte sipas Hyjit: «Mos mendoni për gjë tjetër përveçse se gjithçka është vendosur prej Hyjit; dhe aty ku nuk ka dashuri, vini dashuri dhe do të korrni dashuri» (Epistolari, 26).

Në këtë terren dhurues, në hapjen ndaj dashurisë së Hyjit dhe si fryt i kësaj dashurie, lindin të gjitha thirrjet. Dhe pikërisht duke marrë prej këtij burimi në lutje, me frekuentimin e vazhdueshëm të Fjalës dhe të Sakramenteve, në veçanti të Eukaristisë, është e mundur ta jetojmë dashurinë ndaj të afërmit në të cilin mësojmë të dallojmë fytyrën e Krishtit Zot (krh. Mt 25,31-46). Për të shprehur lidhjen e pandashme që ekziston mes këtyre “dy dashurive” – dashurisë ndaj Hyjit dhe asaj ndaj të afërmit – që gurgullojnë prej të njëjtit burim hyjnor dhe te ai janë të orientuar, Papa Shën Gregori i Madh përdor shembullin e bimës së vogël: «Në terrenin e zemrës sonë [Hyji] kë mbjellë më parë rrënjën e dashurisë ndaj Tij dhe pastaj është zhvilluar, si kurora, dashuria vëllazërore» (Moralium Libri, sive expositio in Librum B. Job, Lib. VII, cap. 24, 28; PL 75, 780D).

Këto dy shprehje të të vetmes dashuri hyjnore, duhet të jetohen me intensitet të veçantë dhe pastërti të zemrës prej atyre që kanë vendosur të ndërmarrin një ecje shoshitjeje drejt shërbesës meshtarake dhe jetës së kushtuar Zotit; përbëjnë elementin e saj cilësues. Në të vërtetë, dashuria për Hyjin, shëmbëlltyra të dukshme – megjithëse gjithmonë të papërsosura – të të cilës bëhen presbiterët dhe rregulltarët, është motivimi i përgjigjes ndaj thirrjes së kushtimit të veçantë ndaj Zotit nëpërmjet Shugurimit presbeterial apo dëshmimit të këshillave ungjillore. Fuqia e përgjigjes së shën Pjetrit ndaj Mësuesit hyjnor: «Ti e di se të dua» (Gjn 21,15), është sekreti i një ekzistence të dhuruar dhe të jetuar në plotësi, dhe prandaj të mbushur me gëzim të thellë.

Shprehja tjetër konkrete e dashurisë, ajo ndaj të afërmit, sidomos ndaj më nevojtarëve dhe të vuajturve, është shtytja vendimtare që e bën meshtarin dhe personin e kushtuar një nxitës të bashkimit mes njerëzve dhe një mbjellës të shpresës. Marrëdhënia e të kushtuarve Zotit, sidomos e meshtarit, me bashkësinë e krishterë, është jetësore dhe bëhet edhe pjesë themelore e horizontit të tyre afektiv. Në lidhje me këtë, Famullitari i Shenjtë i Arsit kishte dëshirë të përsëriste: «Prifti nuk është prift për vete; është i tillë për ju» (Le curé d’Ars. Sa pensée – Son cœur, Foi Vivante, 1966, fq. 100).

Të dashur Vëllezër në episkopat, të dashur presbiterë, diakonë, të kushtuar e të kushtuara, katekistë, veprues baritorë dhe të gjithë ju të angazhuar në fushën e edukimit të brezave të reja, ju nxis gjallërisht që të viheni në dëgjim të vëmendshëm të atyre që brenda bashkësive famullitare, shoqatave dhe lëvizjeve ndiejnë shfaqjen e shenjave të një thirrjeje në meshtari apo në një kushtim të veçantë. Është e rëndësishme që në Kishë të krijohen kushtet e favorshme me qëllim që të mund të lindin shumë “po”, si përgjigje bujare ndaj thirrjes së dashurisë së Hyjit.

Do të jetë detyrë e baritores thirrore të japë pika orientimi për një ecje të frytshme. Element qendror do të jetë dashuria ndaj Fjalës së Hyjit, duke kultivuar një familjaritet gjithnjë e më të madh me Shkrimin e Shenjtë dhe një lutje personale e bashkësiore e vëmendshme dhe e vazhdueshme, që personat të jenë të aftë ta dëgjojnë thirrjen hyjnore në mes të shumë zërave që e mbushin jetën e përditshme. Por sidomos Eukaristia le të jetë “qendra jetësore” e çdo ecjeje thirrore: pikërisht këtu dashuria e Hyjit na prek në flinë e Krishtit, shprehje e përsosur e dashurisë, dhe pikërisht këtu mësojmë gjithnjë e përsëri ta jetojmë “masën e lartë” të dashurisë së Atit. Fjala, lutja dhe Eukaristia janë thesari i çmueshëm për të kuptuar bukurinë e një jete tërësisht të shpenzuar për Mbretërinë qiellore.

Uroj që Kishat lokale, në përbërësit e tyre të ndryshëm, të bëhen “vend” i shoshitjes së vëmendshme dhe verifikimit të thellë thirror, duke u ofruar të rinjve dhe të rejave një shoqërim shpirtëror të urtë dhe të fuqishëm. Në këtë mënyrë bashkësia e krishterë bëhet edhe vetë shfaqje e Dashurisë së Hyjit që ruan në vetvete çdo thirrje. Kjo dinamikë, që u përgjigjet instancave të urdhërimit të ri të Jezusit, mund të gjejë një aktualizim shprehës dhe të posaçëm në familjet e krishtera, dashuria e të cilave është shprehje e dashurisë së Krishtit që ka flijuar vetveten për Kishën e vet (krh. Ef 5,32). Në familjet, «bashkësitë e jetës dhe të dashurisë» (Gaudium et spes, 48), breznitë e reja mund të bëjnë përvojën e mrekullueshme të kësaj dashurie flijuese. Në të vërtetë, ato jo vetëm janë vendi i privilegjuar i formimit njerëzor dhe të krishterë, por edhe mund të përfaqësojnë «seminarin e parë dhe më të mirë të thirrjes në jetën e kushtuar Mbretërisë së Hyjit» (Nxit. Apost. Familiaris consortio, 53), duke bërë të rizbulohet, pikërisht brenda familjes, bukuria dhe rëndësia e meshtarisë dhe e jetës së kushtuar Zotit. Barinjtë dhe të gjithë besimtarët laikë le të dinë gjithmonë të bashkëpunojnë me qëllim që në Kishë të shumohen këto «shtëpi e shkolla të bashkimit» sipas modelit të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, refleks harmonik mbi tokë i jetës së të Shenjtërueshmes Trini.

Me këto urime, ju jap me gjithë zemër Bekimin Apostolik ju, të Nderuar Vëllezër në episkopat, meshtarëve, diakonëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe të gjithë besimtarëve laikë, në veçanti të rinjve dhe të rejave që me zemër të butë vihen në dëgjim të zërit të Hyjit, të gatshëm për ta pranuar atë me pjesëmarrje bujare dhe besnike.

Prej Vatikanit, 18 tetor 2011

 

© Copyright 2011 - Libreria Editrice Vaticana

  



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana