Index   Back Top Print

[ DE  - EN  - ES  - FR  - IT  - PL  - PT  - SQ ]

MESAZHI E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTIT XVI

PËR DITËN E 50-TË BOTËRORE TË LUTJES PËR THIRRJET

 

Të dashur vëllezër e motra!

Në Ditën e 50-të Botërore të Lutjes për Thirrjet, që do të kremtohet më 23 prill 2013, e diela e katërt e Pashkëve, dua t’ju ftoj që të meditoni mbi temën: “Thirrjet, shenjë e shpresës së themeluar mbi fenë”, që përkon mirë me kontekstin e Vitit të fesë dhe me përvjetorin e 50-të të hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Shërbëtori i Hyjit, Papa Pali VI, gjatë punimeve të Koncilit, e themeloi këtë Ditë të thirrjes në kor para Hyjit Atë që të vazhdojë të dërgojë punëtorë për Kishën e tij (krh Mt 9,38). “Problemi i numrit të mjaftueshëm të meshtarëve – theksonte në atë kohë Papa – i prek për nga afër të gjithë besimtarët: jo vetëm sepse prej tij varet e ardhmja fetare e shoqërisë së krishterë, por edhe sepse ky problem është treguesi i saktë dhe i paepur i gjallërisë së fesë dhe dashurisë së bashkësive të veçanta famullitare dhe dioqezave, dhe dëshmia e shenjtërisë morale të familjeve të krishtera. Aty ku thirrjet lulëzojnë të shumta si kishtare dhe rregulltare, aty jetohet me bujari sipas Ungjillit” (Papa Pali VI, Mesazh radiofonik, 11 prill 1964).

Në këta dhjetëvjeçarë, bashkësitë e ndryshme kishtare të shpërndara në mbarë botën janë bashkuar shpirtërisht për çdo vit, në të dielën e katërt të Pashkëve, që ta lusin Hyjin për dhuratën e thirrjeve të shenjta dhe për t’ia ripropozuar meditimit të përbashkët urgjencën e përgjigjes ndaj thirrjes hyjnore. Ky takim domethënës i përvitshëm ka favorizuar, në fakt, një angazhim të fort për ta vendosur gjithmonë e më shumë në qendër të përshpirtërisë, të veprimit baritor dhe të lutjes së besimtarëve rëndësinë e thirrjeve për meshtari dhe për jetën e kushtuar.

Shpresa është pritja e diçkaje pozitive për të ardhmen, por që njëkohësisht duhet ta mbështesë të tashmen tonë, e shënjuar jo rrallë nga pakënaqësi dhe mossuksese. Ku themelohet shpresa jonë? Duke parë historinë e popullit të Izraelit, që tregohet në Besëlidhjen e Vjetër, shohim se aty del, edhe në çastet e vështirësive më të mëdha siç është mërgimi, një element i vazhdueshëm, i thirrur në mënyrë të veçantë nga profetët: përkujtimi i premtimeve të bëra Patriarkëve nga Hyji; përkujtimi që kërkon të imitohet sjellja shembullore e Abrahamit, i cili, siç kujton Pali Apostull, “duke shpresuar kundër çdo shprese, ai besoi që të bëhet kështu ‘ati i shumë popujve’ sipas fjalës: ‘E tillë do të jetë pasardhësia jote!’” (Rom 4,18). Një e vërtetë ngushëlluese dhe ndriçuese që del nga mbarë historia e shëlbimit është atëherë besnikëria e Hyjit ndaj besëlidhjes, për të cilën është angazhuar dhe të cilën e ka përtërirë sa herë që njeriu e ka prishur me pabesnikërinë e vet, me mëkatin, që nga koha e përmbytjes (krh Zan 8,21-22), në atë të daljes dhe të ecjes në shkretëtirë (krh Lp 9,7); besnikëri e Hyjit që bashkohet për të vulosur aleancën e re dhe të amshuar me njeriun përmes gjakut të Birit të vet, të vdekur dhe të ngjallur për shëlbimin tonë.

Në çdo çast, sidomos në ato më të vështirat, është gjithmonë besnikëria e Zotit, forca e vërtetë lëvizëse e historisë së shëlbimit, që bën të dridhen zemrat e burrave dhe grave e që i forcon ata në shpresën se do të mbërrijnë një ditë në “Tokën e premtuar”. Këtu është themeli i sigurt i çdo shprese: Hyji nuk na lë kurrë vetëm dhe është besnik në fjalën e dhënë. Për këtë arsye, në çdo situatë të lumtur ose jo, mund të ushqejmë një shpresë të frotë dhe të lutemi me psalmistin: “Vetëm në Hyjin pusho, o shpirti im, vetëm në të qëndron shpresa ime!” (Ps 62,6). Të kesh shpresë, pra, është njësoj si të besosh në Hyjin besnik, që i mban premtimet e besëlidhjes. Prandaj, feja dhe shpresa janë ngushtësisht të bashkuara. “Shpresa”, në fakt, është një fjalë qendrore e fesë biblike, në atë pikë saqë në pjesë të ndryshme fjalët “fe” dhe “shpresë” duket se ia lënë vendin njëra-tjetrës. Kështu, Letra drejtuar Hebrenjve e lidh ngushtësisht “plotësinë e fesë” (10,22) me “shpalljen e pandryshueshme të shpresës (10,23). Edhe në rastin kur Letra e Parë e Pjetrit i nxit të krishterët që të jenë gjithmonë të gatshëm që të japin një përgjigje për fjalën – kuptimin dhe arsyen – e shpresës së tyre (krh 3,15), “shpresa” është e barasvlershme me “fenë” (Enc. Spe salvi, 2).

Të dashur vëllezër e motra, në çfarë qëndron besnikëria e Hyjit në të cilën duhet të besohemi me shpresë të fortë? Në dashurinë e tij. Ai, që është Atë, e derdh në unin tonë më të thellë, përmes Shpirtit Shenjt, dashurinë e tij (krh Rom 5,5). Dhe pikërisht mbi këtë dashuri, duke u dëftuar plotësisht në Jezu Krishtin, Ai i bën thirrje ekzistencës tonë, kërkon një përgjigje mbi atë çfarë secili prej nesh dëshiron të bëjë me jetën e vet, sa jemi të gatshëm të vëmë në lojë për ta realizuar në plotësi jetën tonë. Shpresa, pra, ushqehet me këtë siguri: “Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh” (1 Gjn 4,16). Dhe kjo dashuri kërkuese, e thellë, që shkon përtej sipërfaqësisë, na jep guxim, na bën të shpresojmë në rrugën e jetës dhe në të ardhmen, na bën të kemi besim në vetvete, në historinë dhe në të tjerët. Do të doja t’ju drejtohesha në mënyrë të veçantë juve të rinj e të reja dhe t’ju përsëris: “Çfarë do të ishte jeta juaj pa këtë dashuri? Hyji kujdeset për njeriun që nga krijimi deri në fund të kohërave, kur do ta plotësojë planin e tij të shëlbimit. Në Zotërinë e Ngjallur e kemi sigurinë e shpresës tonë” (Fjalimi para rinisë së dioqezës së San Marinos – Montefeltro, 19 qershor 2011).

Siç ndodhi në rrjedhën e ekzistencës së vet tokësore, edhe sot Jezusi, i Ngjalluri, kalon nëpër rrugët e jetës tonë dhe na sheh të zhytur në veprimtaritë tona, me dëshirat tona dhe me nevojat tona. Pikërisht në të përditshmen Ai vazhdon të na e drejtojë fjalën e vet; na thërret që ta realizojmë jetën tonë me Të, i cili është i vetmi që mund ta shuajë etjen tonë për shpresë. Ai, i Gjallë në bashkësinë e dishepujve, që është Kisha, edhe sot na thërret që ta ndjekim. Dhe kjo thirrje mund të vijë në çdo çast. Edhe sot Jezusi përsërit: “Eja! Më ndiq!” (Mk 10,21). Për ta pranuar këtë ftesë, nuk duhet ta zgjedhim më vetë rrugën tonë. Ta ndjekësh Jezusin do të thotë ta zhysim vullnetin tonë në vullnetin e Jezusit, t’ia japim Atij me të vërtetë përparësinë, ta vendosim Atë në vendin e parë në çdo gjë që bën pjesë në jetën tonë: në familje, në punë, në interesat personale dhe në veten tonë. Do të thotë t’ia dorëzojmë jetën tonë Atij, të jetojmë me Të në intimitet të thellë, të hyjmë përmes Tij në bashkim me Atin në Shpirtin Shenjt dhe, për rrjedhojë, me vëllezërit dhe motrat. Dhe ky bashkim i jetës me Jezusin është “vendi” i privilegjuar ku përjetohet shpresa dhe ku jeta do të jetë e lirë dhe e plotë!

Thirrjet meshtarake dhe rregulltare lindin nga përvoja e takimit personal me Krishtin, nga dialogu i sinqertë dhe plot besim me Të, për të hyrë në vullnetin e tij. Është e nevojshme, pra, që të rritemi në përvojën e fesë, që kuptohet si marrëdhënie e thellë me Jezusin, si dëgjim i brendshëm i zërit të tij, që tingëllon brenda nesh. Ky rrugëtim, që na aftëson për ta pranuar thirrjen e Hyjit, mund të ndodhë në brendësi të bashkësive të krishtera që jetojnë një klimë të ngjeshur feje, një dëshmi bujare të shkrirjes me Ungjillin, një pasion misionar që çon në dhurimin e plotë të vetvetes për Mbretërinë e Hyjit, i ushqyer nga afrimi ndaj Sakramenteve, në mënyrë të veçantë ndaj Eukaristisë, dhe nga një jetë e zjarrtë lutjeje. Kjo e fundit “duhet, nga njëra anë, të jetë shumë personale, një përballje e unit tim me Hyjin, me Hyjin e gjallë. Megjithatë, nga ana tjetër, ajo duhet të jetë gjithmonë sërish e udhëhequr dhe e ndriçuar nga lutje të mëdha të Kishës dhe të shenjtërve, nga lutja liturgjike, në të cilën Zoti na mëson vazhdimisht të lutemi në mënyrën e duhur. (Enc. Spe salvi, 34).

Lutja e vazhdueshme dhe e thellë bën të rritet feja e bashkësisë së krishterë, në sigurinë gjithmonë të përtërirë se Hyji nuk e braktis kurrë popullin e tij dhe se e mbështet duke ngjallur thirrje të veçanta, për meshtarinë dhe jetën e kushtuar, që të jenë shenja shprese për botën. Në fakt, meshtarët dhe rregulltarët, janë të thirrur që t’i dhurohen në mënyrë të pakushtëzuar popullit të Hyjit, në një shërbim dashurie ndaj Ungjillit dhe Kishës, një shërbim ndaj asaj shprese të fortë që vetëm hapja ndaj horizontit të Hyjit mund ta dhurojë. Prandaj, ata, me dëshminë e fesë së tyre dhe me zellin e tyre apostolik, mund t’ua transmetojnë, në mënyrë të veçantë brezave të rinj, dëshirën e gjallë për t’iu përgjigjur me bujari dhe me shpejtësi Krishtit që i thërret për ta ndjekur më nga afër. Kur një nxënës i Jezusit e pranon thirrjen hyjnore për t’iu kushtuar mbarështimit priftëror ose jetës së kushtuar, dëftohet kështu një prej fryteve më të pjekura të bashkësisë së krishterë, që na ndihmon ta shohim me besim dhe shpresë të veçantë të ardhmen e Kishës dhe angazhimin e saj për ungjillëzim. Në fakt ka nevojë gjithmonë për punëtorë të rinj për predikimin e Ungjillit, për kremtimin e Eukaristisë, për Sakramentin e Pajtimit. Të mos mungojnë, pra, meshtarët e zellshëm, që të dinë t’i shoqërojnë të rinjtë, të cilët si ‘shokë udhëtimi’ i ndihmojnë që ta njohin, në rrugën e tyre shpesh të mundimshme dhe të errët të jetës, Krishtin, që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta (krh Gjn 14,6); për t’iu propozuar atyre, me guxim ungjillor, bukurinë e shërbimit ndaj Hyjit, ndaj bashkësisë së krishterë, ndaj vëllezërve dhe motrave. Të jenë meshtarë që ta tregojnë frytshmërinë e një angazhimi plot entuziazëm, që jep një ndjenjë përplotësimi ndaj ekzistencës personale, pikërisht sepse është i themeluar mbi fenë në Atë që na ka dashur i pari (krh 1 Gjn 4,19). Njësoj, shpresoj që të rinjtë, në mesin e propozimeve të shumta sipërfaqësore dhe që fiken shpejt, të dinë ta kultivojnë tërheqjen e tyre pas vlerave, synimeve të larta, zgjedhjeve rrënjësore, për një shërbim ndaj të tjerëve mbi gjurmët e Jezusit.

Të dashur të rinj, mos kini frikë t’i ndiqni dhe t’i përshkoni rrugët kërkuese dhe të guximshme të dashurisë dhe të angazhimit bujar! Kështu do të jeni të lumtur të shërbeni, do të jeni dëshmitarë të atij gëzimi që bota nuk mund ta japë, do të jenë flakë të gjalla të një dashurie të pafundme e të përjetshme, do të mësoni “ta jepni arsyen e shpresës së banon në ju” (1 Pjt 3,15)!

Nga Vatikani, 6 tetor 2012

BENEDICTUS PP. XVI

 

© Copyright 2012 - Libreria Editrice Vaticana

  



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana