Index   Back Top Print


MESAZH I ATIT TË SHENJTË
BENEDIKTI XVI
PËR DITËN XXVI BOTËRORE TË RINISË
2011

"Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe " (khs Kol 2,7)

 

Të dashur miq,

mendoj shpesh per Ditën Botërore të Rinisë në Sydney 2008. Atje jetuam një festë të madhe të besimit, gjatë së cilës Shpirti i Hyjit veproi me fuqi të madhe, duke krijuar një bashkim të thellë mes pjesëmarrësve të ardhur nga të gjitha anët e botës. Ai takim, ashtu si edhe të mëparshmit, ka dhënë fryte të bollshme në jetën e shumë të rinjve dhe të mbarë Kishës. Tani shikimi ynë drejtohet nga Dita e ardhshme e Rinisë, që do të mbahet në Madrid në gusht 2011. Që në vitin 1989, disa muaj para rënies historike të Murit të Berlinit, shtegtimi i të rinjve u ndal në Spanjë në Santiago të Kompostelës. Tani, në një çast në të cilin Evropa ka shumë nevojë të rigjejë rrënjët e veta të krishtera, kemi lënë takim në Madrid, me temën: "Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe" (khs Kol 2,7). Pra, ju ftoj në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për Kishën në Evropë dhe për Kishën e gjithëmbarshme. Dhe do të doja që të gjithë të rinjtë, si ata që e bashkëndajnë besimin tonë në Jezu Krishtin, ashtu edhe ata që ngurrojnë, janë dyshues apo nuk besojnë në Të, të mund ta jetojnë këtë përvojë, që mund të jetë vendimtare për jetën: përvojën e Zotit Jezus të ringjallur dhe të gjallë dhe të dashurisë së tij për secilin prej nesh.

1. Në burimin e aspiratave tuaja më të mëdha

Në çdo kohë, edhe në ditët tona, shumë të rinj ndjejnë dëshirën e thellë që marrëdhëniet mes personave të jetohen në të vërtetën dhe në solidaritet. Të shumtë janë ata që shfaqin aspiratën e ndërtimit të marrëdhënieve të mirëfillta të miqësisë, të njohjes së dashurisë së vërtetë, të themelimit të një familjeje të bashkuar, të arritjes së një qëndrueshmërie vetjake dhhe të një sigurie të vërtetë, që të mund të sigurojnë një të ardhme të qetë dhe të lumtur. Sigurisht, duke kujtuar rininë time e di se qëndrueshmëria dhe siguria nuk janë çështjet që kanë më shumë peshë në mendjen e të rinjve. Po, kërkesa për një vend pune dhe me të kërkesa për të patur një taban të sigurt nën vete është një problem i madh dhe shqetësues, por njëkohësisht rinia mbetet mosha kur kërkohen gjëra të larta në jetë. Nëse kujtoj vitet e mia të atëhershme: thjesht nuk dëshironim ta humbisnim veten në të rëndomtën e jetës borgjeze. Dëshironim atë çka është e lartë, e re. Dëhsironim të gjenim vetë jetën në shtrirjen dhe bukurinë e saj. sigurisht, kjo varej edhe nga situata në të cilën ndodheshim. Gjatë diktaturës nacionalsocialiste dhe gjatë luftës, ne ishim, si të thuash, të “kyçur” nga pushteti mbizotërues. Pra donim të dilnim në ajër të lirë për të hyrë në gjerësinë e mundësive të qenies njeri. Por besoj se, në një farë mënyre, kjo shtyës për të skuar përtej të zakonshmes ekziston në çdo brezni. Është pjesë e të qenit njeri të dëshirosh diçka më të nga përditshmëria e zakonshme e një pune të sigurt dhe të ndiesh tërheqje për diçka që është vërtet e madhe, e lartë. Mos vallë është një ëndërr boshe që davaritet kur rritemi? Jo, njeriu është krijuar vërtet për atë çka është e madhe, për të pafundmen. Çdo gjë tjetër është e pamjaftueshme. Shën Agustini kishte të drejtë: zemra jonë nuk gjen qetësi përveçse kur pushon në ty. Dëshira për një jetë më të lartë është një shenjë e faktit që na ka krijuar Ai, që ne mbajmë “gjurmën” e ij. Hyji është jetë, dhe për këtë arsye çdo krijesë është e prirur kah jeta; mënyrë unike dhe të veçantë personi njerëzor, i krijuar sipas shëmbëllimit të Hyjit, aspiron dashurinë, gëzimin dhe paqen. Atëherë e kuptojmë se si nuk ka kuptim të pretendosh të eliminosh Hyjin që të jetojë njeriu! Hyji është burimi i jetës; ta eliminosh atë do të thotë të ndahesh nga ky burim dhe, pashmangshmërisht, t’i heqësh vetes mudësinë e plotësisë dhe të gëzimit. “krijesa, në fakt, pa Krijuesin venitet” (Konc. II Ekum. Vat., Kusht. Gaudium et Spes, 36). Kultura e sotme, në disa zona të botës, sidomos në Perëndim, ka prirjen ta përjashtojë Hyjin, apo ta konsiderojë besimin si një fakt privat, pa asnjë rëndësi në jetën shoqërore. Ndërsa tërësia e vlerave që janë në bazë të shoqërisë vjen nga Ungjilli – si ndjenja e dinjitetit të personit, e solidaritetit, e punës dhe e familjes – konstatohet një “eklips i Hyjit”, një lloj amnezie, për të mos folur për një refuzim të mirëfilltë të Krishtërimit dhe një mohim të thesarit të besimit të marrë, duke rrezikuar humbjen e identitetit të thellë vetjak.   

Për këtë arsye, të dahur miq, ju ftoj të përthelloni ecjen tuaj të besimit në Hyjin, atin e Zotit tonë Jezu Krishtit! Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë sot, kur shumë vetë nuk kanë pika referimi të qëndrueshme për ta ndërtuar jetën e tyre, duke u bërë në këtë mënyrë thellësisht të pasigurt. Relativizmi i përhapur, sipas të cilit gjithçka është e barasvlershme dhe nuk ekziston asnjë vërtetë dhe asnjë pikë referimi absolute, nuk krijon lirinë e vërtetë, por paqëndrueshmëri, përhumbje, konformizëm me modat e çastit. Ju të rinj keni të drejtën që të merrni nga brezat që ju paraprijnë pika të qëndrueshme që të bëni zgjedhjet tuaja dhe të ndërtoni jetën tuaj, ashtu si një bimë e re ka nevojë për një mbështetje të fortë derisa t’i rriten rrënjët që mëpas të bëhet një pemë e fortë e aftë për të dhënë fryte.

2. Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin

Për të hedhur dritë mbi rëndësinë e besimit në jetën e besimtarëve, do të doja të ndalesha në secilin prej tre termave që shën Pali përdor në shprehjen e tij: "Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe" (khs. Kol 2,7). Mund të dallojmë në të tre shëmbëllime: “të rrënjosur” na kujton pemën dhe rrënjët që e ushqejnë atë, “të themeluar” i referohet ndërtimit të një shtëpie; “të fortë” na kujton rritjen e forcës fizike apo morale. Janë shëmbëllime që flasin vetë. Para se t’i komentojmë, vërejmë thjesht se në tekstin origjinal tre termat, nga pikëpamja gramatikore, përdoren në formën joveprore: kjo do të thotë se është Krishti vetë që ndërmerr nismën për të rrënjosur, themeluar dhe për t’i bërë të fortë besimtarët. Shëmbëllimi i parë është ai i pemës, e mbjellë qëndrueshëm në tokë nëpërmjet rrënjëve, që e bëjnë të qëndrueshme dhe e ushqejnë atë. Pa rrënjë, do ta merrte me vete era dhe do të vdiste. Cilat janë rrënjët tona? Natyrisht prindërit, familja dhe kultura e vendit tonë, që janë një përbërëse shumë e rëndësishme e identitetit tonë. Bibla na zbulon një tjetër. Profeti Jeremi shkruan: “Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij. Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie nuk merakoset, nuk pushon së dhëni fruta” (Jer 17,7-8). Të lëshosh rrënjët, sipas profetit, do të thotë ta vendosësh besimin tënd në Hyjin. Nga Ai e marrim jetën tonë; pa Të nuk do të mund të jetonim vërtetësisht. “Hyji na e dha jetën e pasosur, e kjo jetë është në Birin e tij” (1 Gjn 5,11). Vetë Jezusi paraqitet si jeta jonë (khs Gjn 14,6). Për këtë feja e krishterë nuk është vetëm të besosh në disa të vërteta, por është para së gjithash një marrëdhënie vetjake me Jezu Krishtin, është takimi me Birin e Hyjit, që i jep ekzistencës mbarë një dinamizëm të ri. Kur hyjmë në marrëdhënie personale me Të, Krishti na zbulon identitetin tonë, dhe, në miqësinë e tij, jeta rritet dhe realizohet në plotësi. Vjen një çast, në rini, kur secili prej nesh pyet veten: ç’kuptim ka jeta ime, ç’synim, ç’drejtim duhet t’i jap asaj? Është kjo një fazë themelore, që mund ta trazojë shpirtin, ndonjëherë edhe për një kohë të gjatë. Mendojmë për llojin e punës që duam të bëjmë, për marrëdhëniet shoqërore që duam të vendosim, për llojin e dashurive që duam të zhvillojmë... Në këtë kontekst mendoj për rininë time. Në njëfarë mënyre e kam patur që herët vetëdijen se Zoti më donte prift. Por më vonë, pas Luftës, kur në seminar dhe në universitet isha drejt këtij synimi, m’u desh ta rifitoja këtë siguri. M’u desh të pyesja veten: vallë është vërtet kjo rruga ime? Vallë është vërtet ky vullneti i Zotit për mua? A do të jem i aftë t’i mbetem besnik Atij dhe të jem plotësisht i gatshëm për Të, në shërbimin e Tij? Një vendim i tillë shkakton edhe vuajtje. Nuk ka si të jetë ndryshe. Por më pas mbërriti edhe siguria: kjo gjë është e mirë! Po, Zoti më do, për këtë arsye do të ma japë fuqinë. Duke e dëgjuar Atë, duke ecur me Të bëhem vërtet vetvetja. Nuk ka rëndësi plotësimi i dëshirave të mia, por vullneti i Tij. Në këtë mënyrë jeta bëhet e vërtetë, e mirëfilltë.

Ashtu si rrënjët e pemës e mbajnë atë të rrënjosur thellë në tokë, në të njëjtën mënyrë themelet i japin shtëpisë një qëndrueshmëri jetëgjatë. Nëpërmjet besimit, ne jemi të themeluar në Krishtin (khs Kol 2,7), siç është e ndërtuar një shtëpi mbi themelet. Në historinë e shenjtë kemi shumë shembuj shenjtërish që e kanë ndërtuar jetën e tyre mbi Fjalën e Hyjit. I pari është Abrahami. Ati ynë në besim iu bind Hyjit që i kërkonte të linte shtëpinë atërore për t’u mbudhur drejt një Vendi të panjohur. “I besoi Abrahami Hyjit dhe iu numërua për drejtësi, dhe u bë miku i Hyjit” (Jak 2,23). Të jemi të themeluar në Krishtin do të thotë t’i përgjigjemi konkretisht thirrjes së Hyjit, duke i besuar Atij dhe duke vënë në jetë Fjalën e tij. Vetë Jezusi i qorton dishepujt e vet: “Pse më thirrni: ‘Zotëri, Zotëri!’, e nuk bëni si ju urdhëroj?” (Lk 6,46). Dhe, duke përdorur shëmbëllimin e ndërtimit të shtëpisë, shton: “Çdonjëri që vjen tek unë, që e dëgjon fjalën time e që e shtjen në veprim... i përngjan njeriut, i cili, kur ndërtoi shtëpinë e vet, mihi dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Ra vërshimi, lumi u vërsul mbi atë shtëpi, por nuk mundi ta tundë, sepse ishte e ndërtuar mirë” (Lk 6,47-48).

Të dashur miq, ndërtojeni shtëpinë tuaj mbi shkëmb, si njeriu që “mihi dheun thellë”. Përpiquni edhe ju, çdo ditë, që të ndiqni Fjalën e Krishtit. Ndjejeni Atë si mikun e vërtetë me të cilin të bashkëndani udhën e jetës suaj. Me Të pranë do të jeni të aftë të përballoni me guxim dhe shpresë vështirësitë, problemet, edhe zhgënjimet dhe dështimet. Vazhdimisht ju paraqiten propozime më të lehta, por ju vetë e kuptoni se ato zbulohen mashtruese, nuk ju japin qetësi dhe gëzim. Vetëm Fjala e Hyjit na tregon jetën e vërtetë, vetëm besimi që na është përcjellë është drita që ndriçon udhën. Pranojeni me mirënjohje këtë dhuratë shpirtërore që keni marrë nga familjet tuaja dhe angazhohuni që t’i përgjigjeni me përgjegjësi thirrjes së Hyjit, duke u bërë të rritur në besim. Mos u besoni atyre që ju thonë se nuk keni nevojë për të tjerët për të ndërtuar jetën tuaj! Ndërsa mbështetuni në besimin e të dashurve tuaj, në besimin e Kishës, dhe falënderojeni Zotin që e keni marrë dhe që e keni bërë tuajin!

3. Të fortë në fe

Jini "të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe" (khs. Kol 2,7). Letra nga e cila është marrë kjo ftesë, është shkruar nga shën Pali për t’iu përgjigjur një nevoje të saktë të të krishterëve të qytetit të Kolosit. Në fakt kjo bashkësi kërcënohej nga ndikimi i i disa prirjeve kulturore të kohës që i tërhiqnin mendjen besimtarëve nga Ungjilli. Konteksti ynë kulturor, të dashur të rinj, ka ngjashmëri të shumta me ato të kolosianëve të atëhershëm. Në fakt ka një rrymë të fortë laiciste që do ta mënjanojë Hyjin nga jeta e personave dhe e shoqërisë, duke paraqitur dhe duke u përpjekur të krijojë një “parajsë” pa Të. Por përvoja na mëson se bota pa Hyjin kthehet në një “ferr”: mbizotëron egoizmi, dasitë nëpër familje, urrejtja mes personave dhe popujve, mungesa e dashurisë, e gëzimit dhe e shpresës. Në të kundërt, aty ku personat dhe popujt pranojnë praninë e Hyjit, e adhurojnë Atë në të vërtetën dhe dëgjojnë zërin e tij, ndërtohet konkretisht qytetërimi i dashurisë, ku secili respektohet në dinjitetin e vet, rritet bashkimi bashkë me frytet që sjell. Por ka të krishterë që e lënë veten të joshen nga mënyra e të menduarit laicist, apo janë të tërhequr nga rryma fetare që largojnë nga besimi në Jezu Krishtin. Të tjerë, pa iu bashkangjitur këtyre thirrjeve, thjesht e kanë lënë të ftohet besimin e tyre, me pasoja të pamënjanueshme në rrafsh moral.

Vëllezërve të prekur nga idetë e huaja për Ungjillin, apostulli Pal u kujton fuqinë e Krishtit të vdekur dhe të ringjallur. Ky mister është themeli i jetës sonë, qendra e besimit të krishterë. Të gjitha filozofitë që e injorojnë atë, duke e konsideruar “marri” (1 Kor 1,23), tregojnë caqet e tyre përballë pyetjeve të mëdha që banojnë në zemrën e njeriut. Për këtë arsye, edhe unë, si Pasardhës i Pjetrit, dëshiroj t’ju ripohoj në besim (khs Lk 22,32). Ne besojmë bindshëm se Jezu Krishti e ka ofruar veten në kryq për të na dhënë dashurinë e vet; në mundimin e tij, ka mbartur vuajtjet tona, ka marrë mbi vete mëkatet tona, ka fituar për ne faljen dhe na ka pajtuar me Hyjin Atë, duke na hapur udhën e jetës së pasosur. Në këtë mënyrë jemi çliruar nga ajo çka e pengon më shumë jetën tonë: nga skllavëria e mëkatit, dhe mund t’i duam të gjithë, deri edhe armiqtë tanë, dhe ta bashkëndajmë këtë dashuri me vëllezërit më të varfër dhe ata në vështirësi.

Të dashur miq, shpesh Kryqi na frikëson, sepse duket të jetë mohimi i jetës. Në të vërtetë, është e kundërta! Ai është “po”-ja e Hyjit ndaj njeriut, shprehja më e lartë e dashurisë së tij dhe burimi nga buron jeta e pasosur. Në fakt, nga zemra e Jezusit e hapur në kryq ka buruar kjo jetë hyjnore, gjithnjë e gatshme për kë pranon të ngrejë sytë kah i Kryqëzuari. Pra, nuk mund veçse t’ju ftoj që ta pranoni Kryqin e Krishtit, shenjë e dashurisë së Hyjit, si burim të jetës së re. Jashtë Krishtit të vdekur dhe të ringjallur, nuk ka shpëtim! Vetëm ai mund ta çlirojë botën nga e keqja dhe ta rrisë Mbretërinë e drejtësisë, të paqes e të dashurisë të cilën të gjithë e aspirojmë.

4. Të besosh në Jezu Krishtin pa e parë Atë

Në Ungjill na përshkruhet përvoja e besimit e apostullit Tomë që pranon misterin e Kryqit dhe Ringjalljes së Krishtit. Toma bën pjesë në dymbëdhjetë apostujt; ai ka ndjekur Jezusin; është dëshmitar i drejtpërdrejtë i shërimeve të tij, i mrekullive; ka dëgjuar fjalët e tij; ka jetuar përhumbjen përballë vdekjes së tij. Mbrëmjen e Pashkës Zoti u shfaqet dishepujve, por Toma nuk është i pranishëm, dhe kur i thuhet se Jezusi është i gjallë dhe u është treguar atyre, shpall: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj” (Gjn 20,25).

Edhe ne do të donim të mund të shihnim Jezusin, të mund të flisnim me Të, ta ndjenim akoma më fort praninë e tij. Sot për shumë vetë është e vështirë të mbërrijnë tek Jezusi. Qarkullojnë kaq shumë shëmbëllime të Jezusit që serviren si shkencore dhe i heqin Atij madhështinë, vetësinë e Personit të tij. Për këtë arsye, gjatë viteve të gjata të studimeve dhe përsiatjes, u poq në mua mendimi për të përcjellë pak nga takimi im vetjak me Jezusin në një libër: gati si për të ndihmuar që të shikohet, të dëgjohet, të preket Zoti, në të cilin Hyji na del përpara që ne ta njohim Atë. Vetë Jezusi, në fakt, duke iu shfaqur sërish pas tetë ditësh dishepujve, i thotë Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar” (Gjn 20,27). Edhe për ne është e mundur të kemi një kontakt ndjesor me Jezusin, të vendosim, le të themi, dorën në shenjat e Mundimit të Tij, në shenjat e dashurisë së tij: në Sakramente Ai na vjen pranë në mënyrë të posaçme, na dhurohet neve. Të dashur të rinj, mësoni “të shikoni”, “të takoni” Jezusin në Eukaristi, ku ai është i pranishëm deri sa bëhet ushqim për ecjen tonë; në Sakramentin e Pendesës, ku Zoti shfaq zemërdhembshurinë e tij duke na ofruar gjithnjë faljen e tij. Njiheni dhe shërbejeni Jezusin edhe në të varfërit, në të sëmurët, në vëllezërit që janë në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmë. 

Çelni dhe ushqeni një dialog vetjak me Jezu Krishtin, në besim. Njiheni Atë përmes leximit të Ungjillit dhe Katekizmit të Kishës Katolike; hyni në bashkëbisedim me Të në lutje, jepini besimin tuaj: Ai nuk do e tradhtojë kurrë atë! “Besimi është para së gjithash një përngjitje vetjake e njeriut ndaj Hyjit; njëkohësisht dhe pandashmërisht, është pohimi i lirë i mbarë të vërtetës që Hyji ka zbuluar” (Katekizmi i Kishës Katolike, 150). Në këtë mënyrë do mund të fitoni një besim të pjekur, të qëndrueshëm, që nuk do jetë i themeluar vetëm mbi një ndjenjë fetare apo mbi një kujtim të vagullt të katekizmit të fëmijërisë suaj. Do mund ta njihni Hyjin dhe të jetoni mirëfilli prej Tij, si apostulli Tomë, kur shfaq fuqishëm besimin e tij në Jezusin: “Zoti im dhe Hyji im!”.

5. Të mbështetur nga feja e Kishës, për të qenë dëshmitarë

Në atë çast Jezusi thotë: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20,29). Ai mendon për ecjen e Kishës, e themeluar mbi besimin e dëshmitarëve pamorë: Apostujt. Atëherë ne kuptojmë se besimi ynë vetjak në Krishtin, i lindur në dialogun me Të, është i lidhur me besimin e Kishës: ne nuk jemi besimtarë të izoluar, por, përmes Pagëzimit, jemi anëtarë të kësaj familjeje të madhe, dhe është besimi i shpallur nga Kisha që i jep siguri besimit tonë vetjak. Besojma që shpallim në Meshën e së dielës na mbron pikërisht nga rreziku i të besuarit në një Hyj që nuk është ai që Jezu Krishti na e ka shpallur. “Çdo besimtar është si një hallkë në zinxhirin e madh të besimtarëve. Unë nuk mund të besoj pa u mbështetur nga besimi i të tjerëve, dhe, me besimin tim, mbështes besimin e të tjerëve” (Katekizmi i Kishës Katolike, 166). Ta falënderojmë gjithnjë Zotin për dhuratën e Kishës; ajo na bën të përparojmë me siguri në besimin që na jep jetën e vërtetë (khs Gjn 20,31).

Në historinë e Kishës, shenjtërit dhe martirët e kanë ngjyer nga Kryqi i lavdishëm i Krishtit fuqinë për t’i qëndruar besnikë Hyjit deri në dhurimin e vetvetes; tek besimi kanë gjetur forcën për të mposhtur dobësitë e veta dhe për të kapërcyer çdo vështirësi. Në fakt, siç thotë apostulli Gjon, “Kush është ai që e mund botën, në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit?” (1 Gjn 5,5). Dhe fitorja që lind nga besimi është fitorja e dashurisë. Sa të krishterë kanë qenë dhe janë një dëshmi e gjallë e fuqisë së besimit që shprehet në dashurinë: ata kanë qenë artizanë të paqes, promovues të drejtësisë, gjallërues të një bote më njerëzore, të një bote sipas Hyjit; janë angazhuar në mjediset e ndryshme të jetës shoqërore, me kompetencë dhe profesionalizëm, duke dhënë kontribut të vlefshëm për të mirën e të gjithëve. Dashuria që buron nga besimi i ka çuar ata në një dëshmi shumë konkrete, me vepra dhe fjalë: Krishti nuk është një e mirë vetëm për veten tonë, është e mira më e çmuar që kemi për ta bashkëndarë me të tjerët. Në erën e globalizimit, jini dëshmitarë të shpresës së krishterë në botën mbarë: janë të shumtë ata që duan ta marrin këtë shpresë! Përpara varrit të mikut Lazër, i vdekur prej katër ditësh, Jezusi, para se ta rikthente në jetë, i tha të motrës Martë: “nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit” (khs Gjn 11,40). Edhe ju, nëse do të besoni, nëse do të dini të jetoni dhe të dëshmoni besimin tuaj çdo ditë, do të bëheni mjeti që të rinj të tjerë si ju të gjejnë sërish kuptimin dhe gëzimin e jetës që lind nga takimi me Krishtin!

6. Drejt Ditës Botërore të Madridit

Të dashur miq, ju përtërij ftesën për të ardhur në Ditën Botërore të Rinisë në Madrid. Me gëzim të thellë, pres secilin prej jush, personalisht: Krishti do t’ju forcojë në besim nëpërmjet Kishës. Zgjedhja për të besuar në Krishtin dhe për ta ndjekur atë nuk është e lehtë; ajo pengohet nga pabesitë tona vetjake dhe nga shumë zëra që na tregojnë udhë më të lehta. Mos lini t’ju lëshojë zemra, por kërkoni mbështetjen e Bashkësisë së krishterë, mbështetjen e Kishës! Gjatë këtij viti përgatituni fort për takimin e Madridit me Ipeshkvinjtë tuaj, priftërinjtë tuaj dhe përgjegjësit e baritores rinore në dioqeza, në bashkësitë famullitare, në shoqata e lëvizje. Cilësia e takimit tonë do të varet mbi të gjitha nga përgatitja shpirtërore, nga lutja, nga dëgjimi i përbashkët i Fjalës së Hyjit dhe nga mbështetja e ndërsjellë.

Të dashur të rinj, Kisha ka besim tek ju! Ka nevojë për besimin tuaj të gjallë, për dashurinë tuaj krijuese dhe për dinamizmin e shpresës suaj. Prania juaj e ripërtërin Kishën, e rinon atë dhe i jep një hov të ri. Për këtë arsye Ditët Botërore të Rinisë janë një hir jo vetëm për ju, por për mbarë Popullin e Hyjit. Kisha në Spanjë po përgatitet në mënyrë aktive për t’ju pritur dhe për të jetuar së bashku përvojën e gëzueshme të besimit. Falënderoj dioqezat, famullitë, shenjtëroret, bashkësitë rregulltare, shoqatat dhe lëvizjet kishtare, që punojnë me bujari për përgatitjen e kësaj ngjarjeje. Zoti nuk do të mungojë së bekuari të gjithë. Virgjëra Mari e shoqëroftë këtë ecje përgatitore. Ajo, në Lajmërimin e Engjëllit, e pranoi me besim Fjalën e Hyjit; me besim e pranoi veprën që Hyji po përmbushte në të. Duke shqiptuar “fiat”, “po”-në e saj, ajo mori dhuratën e një dashurie të pamasë, që e shtyu t’ia dhuronte krejt vetveten Hyjit. Le të ndërmjetësojë për secilin dhe secilën prej jush, që në Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë të mund të rriteni në besim dhe në dashuri. Ju siguroj kujtesën time atërore në lutje dhe ju bekoj nga zemra.

Nga Vatikani, 6 gusht 2010, Festa e Shndërrimit të Zotit.

 

BENEDICTUS PP. XVI

 

© Copyright 2010 - Libreria Editrice Vaticana

 



© Copyright - Libreria Editrice Vaticana