Index   Back Top Print

[ BN  - DE  - EN  - ES  - FR  - HR  - IT  - KO  - PL  - PT  - RO  - SL  - SQ  - ZH ]

MESAZH I ATIT TË SHENJTË
BENEDIKTI XVI
PËR DITËN XXVII BOTËRORE TË RINISË 2012

“Gëzohuni gjithmmonë në Zotin!” (Fil 4,4)

 

Të dashur të rinj,

me gëzim ju drejtohem sërish juve, me rastin e Ditës XXVII Botërore të Rinisë. Kujtimi i takimit të Madridit, vitin e kaluar, vazhdon të jetë i gjallë në zemrën time. Qe një çast i jashtëzakonshëm hiri, gjatë të cilit Zoti i bekoi të rinjtë e pranishëm, të ardhur nga e gjithë bota. E falënderoj Hyjin për frytet e shumta që bëri të lindin në ato ditë dhe që në të ardhmen do të vazhdojnë të shumohen për të rinjtë dhe bashkësitë të cilave ata u përkasin. Tashmë jemi të drejtuar kah takimi i ardhshëm në Rio de Janeiro në vitin 2013, që do të ketë temën: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!” (khs Mt 28,19).

Këtë vit, tema e Ditës Botërore të rinisë na jepet nga një thirrje e Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve: “Gëzohuni gjithmmonë në Zotin!” (4,4). Gëzimi, në fakt, është elementi qendror i përvojës së krishterë. Edhe gjatë çdo Dite Botërore të Rinisë ne jetojmë përvojën e një gëzimi intensiv, gëzimin e bashkimit, bashkimin e të qenit të krishterë, gëzimin e besimit. Është kjo një nga karakteristikat e këtyre takimeve. Dhe shohim forcën e madhe tërheqëse që ka: në një botë të shenjuar shpesh nga trishtimi dhe shqetësimet, është një dëshmi e rëndësishme e bukurisë dhe besueshmërisë së besimit të krishterë.

Thirrja e Kishës është që t’i sjellë botës gëzimin, një gëzim të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, të njëjtin gëzim që engjëjt ia kanë lajmëruar barinjve në Betlehem natën e lindjes së Jezusit (khs Lk 2,10):

Hyji, jo vetëm ka folur, jo vetëm ka kryer shenja të mrekullueshme në historinë e njerëzimit, Hyji ka ardhur aq pranë nesh saqë u bë njëri nga ne dhe i përshkoi të gjitha fazat e jetës së njeriut. Në kontekstin e vështirë të sotëm, shumë të rinj përreth jush kanë një nevojë të pamasë për të dëgjuar se mesazhi i krishterë është një mesazh gëzimi dhe shprese! Pra do të doja të reflektoja së bashku me ju për këtë gëzim, për rrugët si mund të gjehet, që të mund ta jetoni gjithnjë e më thellësisht dhe të jeni lajmëtarë të tij mes atyre që ju rrethojnë.

1. Zemra jonë është krijuar për gëzimin

Prirja kah gëzimi është e skalitur në thellësinë e qenies njerëzore. Përtej kënaqësive të menjëhershme dhe kalimtare, zemra jonë kërkon gëzimin e thellë, të plotë dhe të qëndrueshëm, që mund t’i japë “shije” ekzistencës. Dhe kjo vlen sidomos për ju, sepse rinia është një periudhë e zbulimit të vazhdueshëm të jetës, të botës, të të tjerëve dhe të vetvetes. Është një kohë e çeljes drejt të ardhmes, në të cilën shfaqen dëshirat e mëdha të lumturisë, të miqësisë, të bashkëndarjes dhe të së vërtetës, në të cilën nxitemi nga idealet dhe ndërtojmë projekte.

Dhe çdo ditë janë të shumta gëzimet e thjeshta që Zoti na ofron: gëzimi i jetës, gëzimi përballë bukurisë së natyrës, gëzimi i një pune të bërë mirë, gëzimi i të shërbyerit, gëzimi i dashurisë së sinqertë dhe të pastër. Dhe, nëse shohim me kujdes, ka shumë arsye të tjera gëzimi: çastet e bukura të jetës familjare, miqësia e bashkëndarë, zbulimi i aftësisë personale dhe arritja e rezultateve të mira, vlerësimi i të tjerëve, mundësia për t’u shprehur dhe për t’u ndjerë të kuptuar, ndjesia e të qenit të dobishëm për të afërmin. Dhe më pas fitimi i njohurive të reja përmes studimeve, zbulimi i përmasave të reja përmes udhëtimeve e takimeve, mundësia për të bërë projekte për të ardhmen. Por edhe përvoja e leximit të një vepre letrare, e admirimit të një kryevepre arti, e dëgjimit apo luajtjes së muzikës apo shikimit të një filmi mund të shkaktojnë në ne gëzim të vërtetë e të mirëfilltë.

Por, ama, çdo ditë përballemi edhe me shumë vështirësi dhe në zemër kemi shqetësime për të ardhmen, aq sa mund të pyesim veten nëse gëzimi i plotë dhe i qëndrueshëm kah i cili priremi është një iluzion dhe një arratisje nga realiteti. Janë të shumtë të rinjtë që i bëjnë pyetje vetes: a është vërtet i mundur gëzimi i plotë në ditët e sotme? Dhe ky kërkim përshkon rrugë të ndryshme, disa prej të cilave zbulohen si të gabuara, ose të rrezikshme. Por si t’i dallojmë gëzimet vërtet të qëndrueshme nga kënaqësitë e çastit e mashtruese? Si ta gjejmë gëzimin e vërtetë të jetës, atë që zgjat dhe nuk na braktis edhe në çastet e vështira?

2. Hyji është burimi i gëzimit të vërtetë

Në të vërtetë, gëzimet e mirëfillta, gëzimet e vogla të përditshmërisë dhe të mëdhatë e jetës, e gjejnë të gjitha zanafillën tek Hyji, edhe pse nuk duket në shikim të parë, sepse Hyji është bashkim i dashurisë së amshuar, është gëzim i pafund që nuk mbetet i mbyllur në vetvete, por përhapet tek ata që Ai i do dhe që e duan. Hyji na ka krijuar sipas shëmbëllimit të vet për dashuri dhe për të na dhënë neve dashurinë e vet, për të na mbushur me praninë e vet dhe me hirin e vet. Hyji do të na bëjë pjesëmarrës të gëzimit të vet, hyjnor dhe të amshuar, duke na bërë të zbulojmë se vlera dhe kuptimi i thellë i jetës sonë qëndron në të qenët i mirëpritur, i pranuar, i dashur nga Ai, dhe jo me një pranim të brishtë, siç mund të jetë pranimi njerëzor, por me një pranim të pakushtëzuar siç është ai hyjnor: mua më duan, unë kam një vend timin në botë dhe në histori, Hyji më do personalisht. Dhe, nëse Hyji më pranon, më do dhe unë jam i sigurt, e di në mënyrë të qartë dhe të sigurt se është gjë e mirë që unë jam, që ekzistoj.

Kjo dashuri e pafund e Hyjit për secilin prej nesh shfaqet në mënyrë të plotë në Jezu Krishtin. Tek Ai gjendet gëzimi që kërkojmë. Në Ungjill shohim sesi ngjarjet që shenjojnë fillimet e jetës së Jezusit karakterizohen nga gëzimi. Kur kryeengjëlli Gabriel e lajmëron Virgjërën Mari se do jetë nëna e Shpëtimtarit, e nis me këto fjalë: “Gëzohu!” (khs Lk 1,28). Si lind Jezusi, Engjëlli i Zotit u thotë barinjve: “Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytet të Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!” (Lk 2,11). Dhe Dijetarët që kërkonin fëmijën, “kur e panë yllin, u bënë shend e verë” (Mt 2,10). Arsyeja e këtij gëzimi është, pra, afërsia e Hyjit që është bërë njëri prej nesh. Dhe këtë kishte ndër mend shën Pali kur u shkruante të krishterëve të Filipit: “Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat!” (Fil 4,4-5). Shkaku i parë i gëzimit tonë është afërsia e Zotit, që më pranon dhe më do.

Dhe në fakt nga takimi me Jezusin lind gjithnjë një gëzim i madh i brendshëm. Në Ungjij mund ta shohim këtë në episode të shumta. Le ta kujtojmë sërish vizitën e Jezusit tek Zakeu, një tagrambledhës i pandershëm, të cilit Jezusi i thotë: “Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde”. Dhe Zakeu, siç na thotë shën Luka, “e pranoi plot gëzim” (Lk 19,5-6). Është gëzimi i takimit me Zotin; është të ndjerët e dashurisë së Hyjit që mund ta shndërrojë krejt ekzistencën dhe të sjellë shpëtim. Dhe Zakeu vendos të ndryshojë jetën dhe të japë gjysmën e pasurisë së tij për të varfërit.

Në çastin e mundimit të Jezusit, kjo dashuri shfaqet me gjithë fuqinë e saj. Në çastet e fundit të jetës së tij tokësore, gjatë darkës me miqtë e tij, Ai thotë: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time... Ju thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjn 15,9.11). Jezusi dëshiron të fusë dishepujt e vet dhe secilin prej nesh në gëzimin e plotë, në gëzimin që ai bashkëndan me Atin, që dashuria me të cilën Ati e do të jetë në ne (khs. Gjn 17,26). Gëzimi i krishterë është të çelemi ndaj kësaj dashurie të Hyjit dhe t’i përkasim Atij.

Tregojnë Ungjijtë se Maria e Magdalës dhe gra të tjera shkuan për të vizituar varrin ku e kishin vendosur Jezusin pas vdekjes së tij dhe një Engjëll u dha një lajm tronditës, lajmin e ringjalljes së tij. Atëherë, ato e braktisën me ngut varrin, dhe Ungjilltari na thotë “me frikë e njëherësh me gëzim të madh”, dhe vrapuan për t’u dhënë lajmin e mirë nxënësve të tij. Jezusi u doli atyre përpara dhe tha: “Ju falem!” (Mt 28,8-9). Atyre u ofrohet gëzimi i shpëtimit: Krishti është i gjalli, është Ai që ka mposhtur të keqen, mëkatin dhe vdekjen. Ai është i pranishëm në mes nesh si i Ringjalluri, deri në fundin e botës (khs Mt 28,20). Nuk e ka e keqja fjalën e fundit mbi jetën tonë, por besimi në Krishtin shpëtimtar na thotë se dashuria e Hyjit është fitimtare.

Ky gëzim i thellë është fryt i Shpirtit Shenjt që na bën bij të Hyjit, të aftë për të jetuar dhe për të shijuar mirësinë e tij, për t’iu drejtuar atij me fjalën “Abbà”, Atë (khs Rom 8,15). Gëzimi është shenja e pranisë së tij dhe e veprimit të tij në ne.

3. Ta ruajmë në zemër gëzimin e krishterë

Në këtë pikë pyesim veten: si ta marrim dhe ta ruajmë këtë dhuratë të gëzimit të thellë, të gëzimit shpirtëror?

Një Psalm na thotë: “Vëre gëzimin tënd në Zotin e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate” (Ps 37,4). Dhe Jezusi shpjegon se “mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë” (Mt 13,44). Gjetja dhe ruajtja e gëzimit shpirtëror lind nga takimi me Zotin, që të kërkon ta ndjekësh, të bësh një zgjedhje me vendosmëri dhe gjithçka ta luash për Të. Të dashur të rinj, mos kini frikë ta vini jetën tuaj në lojë duke i bërë vend Jezu Krishtit dhe Ungjillit të Tij; është rruga për të arritur paqen dhe lumturinë e vërtetë në thellësi të vetes sonë, është rruga për realizimin e vërtetë të ekzistencës sonë si bij të Hyjit, të krijuar në përngjasimin dhe shëmbëllimin e tij.

Të kërkojmë gëzimin në Zotin: gëzimi është fryti i besimit, është të njohim çdo ditë praninë e tij, miqësinë e tij: “Zoti është ngjat!” (Fil 4,5); është ta vendosim besimin tonë tek Ai, është të rritemi në njohjen dhe dashurinë e Tij. “Viti i besimit”, që do e fillojmë pas disa muajsh, do të na ndihmojë e do të na nxisë. Të dashur miq, mësoni të shihni se si Hyji vepron në jetët tuaja, zbulojeni të fshehur në zemrën e ngjarjeve të përditshmërisë suaj. Besoni se ai është gjithnjë besnik ndaj besëlidhjes që ka lidhur me ju ditën e Pagëzimit tuaj. Ta dini se nuk do ju braktisë kurrë. Drejtojeni shpesh shikimin tuaj kah Ai. Mbi kryq ka dhënë veten e vet sepse ju do. Kundrimi i një dashurie kaq të madhe sjell në zemrat tona një shpresë dhe një gëzim që asgjë nuk mund t’i mposhtë. Një i krishterë nuk mund të jetë kurrë i trishtuar sepse ka takuar Krishtin, që ka dhënë jetën për të.

Ta kërkojmë Zotin, ta takojmë në jetën tonë do të thotë edhe të pranojmë Fjalën e tij, që është gëzim për zemrën. Profeti Jeremi shkruan: “Kur më erdhën fjalët e tua, i përpija, fjala jote për mua u bë gëzim e hare e zemrës sime” (Jer 15,16). Mësoni ta lexoni dhe ta përsiasni Shkrimin e Shenjtë, do të gjeni aty një përgjigje për pyetjet më të thella të së vërtetës që banojnë në zemrën tuaj dhe në mendjen tuaj. Fjala e Hyjit na bën të zbulojmë mrekullitë që Hyji ka kryer në historinë e njeriut dhe, plot me gëzim, na çel kah lavdërimi dhe adhurimi: “Ejani t’i këndojmë Zotit…ta adhurojmë, të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi” (Ps 95,1.6).

Liturgjia është, në mënyrë të veçantë, vendi më i shkëlqyer ku shprehet gëzimi që Kisha e merr nga Zoti dhe ia përcjell botës. Çdo të diel, në Eukaristi, bashkësitë e krishtera kremtojnë Misterin qendror të Shpëtimit: vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit. Është ky një çast themelor për ecjen e çdo dishepulli të Zotit, ku bëhet i pranishëm Flijimi i tij i dashurisë; është dita në të cilën takojmë Krishtin e Ringjallur, dëgjojmë Fjalën e tij, ushqehemi me Trupin e tij dhe me Gjakun e tij. Një Psalm pohon: “Kjo është dita që na e dhuroi Zoti të galdojmë e të gëzojmë në të!” (Ps 118,24). Dhe natën e Pashkës, Kisha këndon Exultet, shprehje gëzimi për fitoren e Jezu Krishtit mbi mëkatin dhe mbi vdekjen: “Le të ngazëllejë kori i engjëjve… Të gëzojë toka e përfshirë nga një shkëlqim i tillë… dhe i gjithi ky tempull të kumbojë nga brohoritjet e popullit që feston!”. Gëzimi i krishterë lind kur e dimë se na do një Hyj që është bërë njeri, ka dhënë jetën e vet për ne dhe ka mposhtur të keqen dhe vdekjen; dhe të jetosh prej dashurisë për të. Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, karmelitane e re, shkruante: “Jezus, gëzimi im është të të dua ty!” (P 45, 21 janar 1897, Op. Compl., f. 708).

4. Gëzimi i dashurisë

Të dashur miq, gëzimi është i lidhur fort ngushtë me dashurinë: janë dy fryte të pandashme të Shpirtit Shenjt (khs Gal 5,23). Dashuria prodhon gëzim, dhe gëzimi është një formë e dashurisë. E lumtura Nënë Tereza e Kalkutës, duke i bërë jehonë fjalëve të Jezusit: “Më i lum është ai që jep se ai që merr!” (Vap 20,35), thoshte: “Gëzimi është një rrjetë dashurie për të zënë shpirtrat. Hyji e do atë që dhuron me gëzim. Dhe ai që dhuron me gëzim, dhuron më shumë”. Dhe Shërbëtori i Hyjit Pali VI shkruante: “Në vetë Hyjin gjithçka është gëzim, sepse gjithçka është dhuratë” (Thirrja ap. Gaudete in Domino, 9 maj 1975).

Duke menduar për fushat e ndryshme të jetës suaj, do të doja t’ju thoja se të duash do të thotë qëndrueshmëri, besnikëri, respektim i angazhimeve të marra. Dhe kjo, pikësëpari, në miqësi: miqtë tanë presin nga ne që të jemi të sinqertë, të ndershëm, besnikë, sepse dashuria e vërtetë është këmbëngulëse edhe e sidomos ndër vështirësi. Dhe vlen e njëjta gjë për punën, për studimet dhe shërbimet që kryeni. Besnikëria dhe këmbëngulja në të mirën na çojnë tek gëzimi, edhe pse jo gjithmonë ky vjen menjëherë.

Për të hyrë në gëzimin e dashurisë, jemi të thirrur edhe që të jemi bujarë, të mos kënaqemi duke dhënë minimumin, por të angazhohemi thellësisht në jetë, me një vëmendje të veçantë për më nevojtarët. Bota ka nevojë për gra e burra kompetentë e bujarë, që të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët. Angazhohuni të studioni me seriozitet; kultivoni talentet tuaja dhe vendosini që tani në shërbim të të afërmit. Përpiquni të gjeni mënyrën për të dhënë kontributin tuaj për ta bërë shoqërinë më të drejtë dhe njerëzore, aty ku gjendeni. E gjithë jeta juaj të udhëhiqet nga shpirti i shërbimit, dhe jo nga kërkimi i pushtetit, i suksesit material dhe i parasë.

Në lidhje me bujarinë, nuk mund të mos përmend një gëzim të veçantë: atë që ndiejmë duke iu përgjigjur thirrjes për t’ia dhuruar gjithë jetën tonë Zotit. Të dashur të rinj, mos kini frikë nga thirrja e Krishtit për jetën rregulltare, murgjërore, misionare apo për meshtari. Të jini të sigurt se Ai i mbush me gëzim ata që, duke ia kushtuar jetën në këtë perspektivë, i përgjigjen ftesës së tij për të lënë gjithçka për të qëndruar me Të dhe për t’iu përkushtuar me zemër të pandashme shërbimit të të tjerëve. Në të njëjtën mënyrë, i madh është gëzimi që ai ruan për burrin dhe gruan që i dhurohen plotësisht njëri-tjetrit në martesë për të ndërtuar një familje dhe për t’u bërë shenjë e dashurisë së Krishtit për Kishën e tij.

Do të doja të sillja në vëmendje një element të tretë për të hyrë në gëzimin e dashurisë: të kujdesemi që të rritet në jetën tonë dhe në jetën e bashkësive tona bashkimi vëllazëror. Ka një lidhje të ngushtë mes bashkimit dhe gëzimit. Nuk është një rast që shën Pali e shkruan thirrjen e vet në shumës: nuk i drejtohet askujt në njëjës, por pohon: “Gëzohuni gjithmonë në Zotin” (Fil 4,4). Vetëm së bashku, duke jetuar bashkimin vëllazëror, mund ta provojmë këtë gëzim. Libri i Veprave të Apostujve e përshkruan në këtë mënyrë bashkësinë e parë të krishterë: “në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin të gjithë së bashku” (Vap 2,46). Angazhohuni edhe ju që bashkësitë e krishtera të mund të jenë vende të privilegjuara të bashkëndarjes, të vëmendjes dhe kujdesit për njëri-tjetrin.

5. Gëzimi i kthimit

Të dashur miq, për të jetuar gëzimin e vërtetë duhet edhe të identifikojmë tundimet që e largojnë atë. Kultura e sotme na nxit shpesh të kërkojmë pikëmbërritje, realizime dhe kënaqësi të menjëhershme, duke ndihur më tepër paqëndrueshmërinë sesa këmbënguljen në mundime dhe besnikërinë ndaj angazhimeve të marra. Mesazhet që merrni ju shtyjnë të hyni në logjikën e konsumit, duke ju parathënë lumturi artificiale. Përvoja na mëson se të paturit nuk përputhet me gëzimin: ka shumë njerëz që, edhe pse kanë të mira materiale me bollëk, janë shpesh të prekur nga dëshpërimi, nga trishtimi dhe ndiejnë një boshllëk në jetë. Për të qëndruar tek gëzimi, jemi të thirrur të jetojmë në dashurinë e së vërtetës, të jetojmë në Hyjin.

Dhe vullneti i Hyjit është që ne të jemi të lumtur. Për këtë na ka dhënë udhëzime konkrete per ecjen tonë: Urdhërimet. Duke i zbatuar, ne gjejmë rrugën e jetës dhe të lumturisë. Edhe pse me shikim të parë mund të duken një sërë ndalimesh, gati gati një pengesë ndaj lirisë sonë, nëse i përsiasim me më shumë vëmendje, në dritën e Mesazhit të Krishtit, ato janë një tërësi e çmuar rregullash thelbësore për jetën që të çojnë drejt një ekzistence të lumtur, të realizuar sipas planit të Hyjit. E, pra, sa herë ne konstatojmë që kur ndërtojmë duke e shpërfillur Hyjin dhe vullnetin e tij na sjell zhgënjim, trishtim, ndjenjën e mposhtjes. Përvoja e mëkatit si refuzim për ta ndjekur atë, si fyerje e miqësisë së tij, sjell hije në zemrën tonë.

Por, nëse ndonjëherë ecja e krishterë nuk është e lehtë dhe angazhimi i besnikërisë ndaj dashurisë së Zotit ndesh pengesa apo përjeton rrëzime, Hyji, në zemërdhembshurinë e vet, nuk na braktis, por na ofron gjithnjë mundësinë që të kthehemi tek Ai, të pajtohemi me Të, të provojmë gëzimin e dashurisë së tij që na fal dhe na rimerr.

Të dashur të rinj, afrojuni shpesh Sakramentit të Pendesës dhe të Pajtimit! Është sakramenti i gëzimit të rigjetur. Kërkojini Shpirtit Shenjt dritën që të dini të kuptoni mëkatin tuaj dhe aftësinë për t’i kërkuar falje Hyjit duke iu afruar këtij sakramenti me qëndrueshmëri, qetësi dhe besim. Zoti do t’jua hapë gjithnjë krahët e veta, do ju pastrojë dhe do ju fusë në gëzimin e vet: do të ketë gëzim në qiell edhe për një mëkatar të vetëm që kthehet (khs Lk 15,7).

6. Gëzimi ndër prova

Por, ama, në fund, mund të mbetet në zemrën tonë pyetja nëse është vërtet e mundur ta jetojmë gëzimin edhe në mes të provave të shumta të jetës, veçanërisht ato më të dhimbshmet e më të mistershmet, nëse vërtet të ndjekurit e Zotit, të besuarit tek Ai na jep gjithmonë lumturi.

Përgjigjja mund të na vijë nga disa përvoja të të rinjve si ju që e kanë gjetur pikërisht në Krishtin dritën që është e aftë të japë fuqi dhe shpresë, edhe në mes të situatave më të vështira. I lumturi Pier Giorgio Frassati (1901-1925) ka jetuar prova të shumta në ekzistencën e tij, edhe pse të shkurtër, mes të cilave njërën, që ka të bëjë me jetën e tij sentimentale, që e kishte lënduar thellë. Pikërisht në këtë situatë, i shkruante të motrës: “Ti më pyet nëse jam i gëzuar; e si të mos jem? Derisa besimi do më japë fuqi, gjithnjë i gëzuar! Katoliku nuk mund të mos jetë i gëzuar... Qëllimi për të cilin jemi krijuar na tregon udhën që ka shumë gjemba, por nuk është një udhë e trishtuar: ajo është gëzim edhe përmes dhimbjeve” (Letër drejtuar të motrës Luciana, Torino, 14 shkurt 1925). Dhe i lumturi Gjon Pali II, duke e paraqitur si shembull, thoshte për të: “ishte një i ri me një gëzim tërheqës, një gëzim që kapërcente shumë vështirësi në jetën e tij” (Fjala drejtuar të rinjve, Torino, 13 prill 1980).

Më pranë nesh, e reja Chiara Badano (1971-1990), e lumturuar së fundmi, ka provuar vetë se si dhimbja mund të shndërrohet nga dashuria dhe, në mënyrë të mistershme, të kthehet në gëzim. Në moshën 18 vjeçare, në një çast kur kanceri e bënte të vuante shumë, Chiara i ishte lutur Shpirtit Shenjt, duke ndërmjetësuar për të rinjtë e Lëvizjes së saj. Përveç shërimit të saj, i kishte kërkuar Hyjit që t’i ndriçonte me Shpirtin e vet ata të rinj, t’u jepte atyre urtinë dhe dritën: “Ka qenë vërtet një çast i Hyjit: vuaja shumë fizikisht, por shpirti im këndonte” (Letër për Chiara Lubich, Sassello, 20 dhjetor 1989). Çelësi i paqes së saj dhe i gëzimit të saj ishte besimi i plotë tek Zoti dhe pranimi edhe i sëmundjes si shprehje e mistershme e vullnetit të tij për të mirën e saj e të të gjithëve. Përsëriste shpesh: “Nëse këtë gjë e do ti, Jezus, e dua edhe unë”.

Janë dy dëshmi të thjeshta mes shumë të tjerave që tregojnë se si i krishteri i mirëfilltë nuk është asnjëherë i dëshpëruar dhe i trishtuar, edhe përballë provave më të ashpra, dhe tregojnë se si gëzimi i krishterë nuk është një arrati nga realiteti, por një fuqi e mbinatyrshme për të përballur dhe për të jetuar vështirësitë e përditshme. E dimë se Krishti i kryqëzuar dhe i ringjallur është me ne, është miku gjithnjë besnik. Kur marrim pjesë në vuajtjet e tij, marrim pjesë edhe në lavdinë e tij. Me Të dhe në Të, vuajtja shndërrohet në dashuri. Dhe aty gjendet gëzimi (khs Kol 1,24).

7. Dëshmitarë të gëzimit

Të dashur miq, për ta përfunduar dua t’ju ftoj të jeni misionarë të gëzimit. Nuk mund të jemi të lumtur nëse të tjerët nuk janë të lumtur: pra, gëzimi duhet bashkëndarë. Shkoni e tregojuani të rinjve të tjerë gëzimin tuaj, gëzimin që keni gjetur thesarin e çmuar që është vetë Jezusi. Nuk mund ta mbajmë për vete gëzimin e besimit: që ai të mbetet në ne, duhet t’ia përcjellim të tjerëve. Shën Gjoni pohon: “çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve, që edhe ju të keni bashkësi me ne... Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë” (1Gjn 1,3-4).

Ndodh që Krishtërimi paraqitet si një propozim jete që e shtyp lirinë tonë, që shkon kundër dëshirës sonë për lumturi dhe gëzim. Por kjo nuk i përgjigjet të vërtetës! Të krishterët janë gra dhe burra vërtet të lumtur sepse e dinë që nuk janë kurrë vetëm, por janë gjithnjë të mbështetur nga duart e Hyjit! Na përket sidomos neve, dishepuj të rinj të Krishtit, t’i tregojmë botës se besimi sjell një lumturi të vërtetë dhe një gëzim të vërtetë, të plotë dhe të qëndrueshëm. Dhe nëse mënyra e të jetuarit e të krishterëve duket ndonjëherë si e lodhur dhe e mërzitur, dëshmoni ju të parët fytyrën e gëzuar dhe të lumtur të besimit. Ungjilli është “lajmi i mirë” që Hyji na do dhe që secili prej nesh është i rëndësishëm për Të. Tregojini botës që është pikërisht kështu!

Jini, pra, misionarë entuziastë të ungjillizimit të ri! Atyre që vuajnë, atyre që janë në kërkim, çojuni gëzimin që Jezusi dëshiron të dhurojë. Çojeni në familjet tuaja, në shkollat dhe universitetet tuaja, në vendet tuaja të punës dhe në grupet tuaja të miqve, aty ku jetoni. Do shihni se është diçka ngjitëse. Dhe do te merrni njëqindfishin: gëzimin e shpëtimit për veten tuaj, gëzimin e Zemrëdhembshurisë së Hyjit që vepron në zemrat tuaja. Ditën e takimit tuaj përfundimtar me Zotin, Ai do mund t’ju thotë: “Shërbëtor i mirë e besnik, hyr në gëzimin e zotërisë tënd!” (Mt 25,21).

Virgjëra Mari ju shoqëroftë në këtë ecje. Ajo e ka pranuar Zotin brenda vetes dhe e ka shpallur Atë me një këngë lavdërimi dhe gëzimi, Magnificat: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim” (Lk 1,46-47). Maria iu përgjigj plotësisht dashurisë së Hyjit duke ia kushtuar jetën e vet Atij në një shërbim të përvujtur dhe të plotë. E quajmë “shkaku i gëzimit tonë” sepse na ka dhënë Jezusin. Ajo le t’ju çojë në gëzimin që askush nuk do mundë t’jua heqë!

Nga Vatikani, 15 mars 2012

BENEDICTUS PP. XVI

 

© Copyright 2012 - Libreria Editrice Vaticana

 



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana