Index   Back Top Print

[ AR  - DE  - EN  - EN_US  - ES  - FR  - HR  - IT  - PL  - PT  - SQ  - ZH_CN  - ZH_TW ]

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU
PËR KRESHME 2014

Është bërë i varfër për të na pasuruar me varfërinë e tij (2 Kor 8,9)

 

 

Të dashur vëllezër e motra,

me rastin e Kreshmës, ju ofroj disa reflektime, që të mund t’ju shërbejnë për ecjen personale dhe bashkësiore të kthimit. Marr nxitjen nga shprehja e shën Palit: “Ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij” (2 Kor 8,9). Apostulli u drejtohet të krishterëve në Korint për t’i inkurajuar të jenë bujar duke ndihmuar besimtarët e Jerusalemit që gjenden në nevojë. Çfarë na thonë ne, të krishterëve të sotëm, këto fjalë të shën Palit? Çfarë na thotë sot neve ftesa për varfëri, për një jetë të varfër në kuptimin ungjillor?

Hiri i Krishtit

Përpara së gjithash na thonë se cili është stili i Zotit. Zoti nuk zbulohet me mjetet e fuqisë dhe të pasurisë së botës, por me ato të dobësisë dhe varfërisë: “nga i pasur që ishte, është bërë i varfër për ne…” Krishti, Biri i Atit të amshuar, i njëjtë në fuqi e lavdi me Atin është bërë i varfër; ka zbritur mes nesh, është bërë i afërm i secilit prej nesh; është zhveshur, “boshatisur”, për t’u bërë në gjithçka i ngjashëm me ne” (krh. Fil 2,7; Heb 4,15). Është një mister i madh mishërimi! Por arsyeja e gjithë kësaj është dashuria hyjnore, një dashuri që është hir, bujari, dëshirë për afërsi, dhe nuk heziton të dhurohet e të sakrifikohet për krijesat e dashura. Bamirësia, dashuria është të ndash në gjithçka fatin e të dashurit. Dashuria bën të ngjashëm, krijon ngjashmëri, prish mure dhe distanca. Dhe Hyji ka bërë këtë me ne. Jezusi, në fakt, “ka punuar me duar njeriu, ka menduar me inteligjencë njeriu, ka dashur me zemër njeriu. Duke lindur nga Maria Virgjër, ai është bërë me të vërtetë njëri prej nesh, në gjithçka i ngjashëm me ne përveçse në mëkat” (Konc. Ekum.Vat. II Gauduim et Spes).

Qëllimi i bërjes i varfër i Jezusit nuk është varfëria në vetvete, por – thotë Shën Pali – “… që ju të bëheni të pasur përmes varfërisë së tij”. Nuk bëhet fjalë për një lojë fjalësh, për një shprehje Është përkundrazi një përmbledhje e logjikës së Hyjit, logjika e dashurisë, logjika e Mishërimit dhe e Kryqit. Hyji nuk ka bërë që të bjerë mbi ne shpëtimi prej së larti, si një lëmoshë e atij që jep prej tepricës së tij me një besim të shtirë bamirësie (pietizëm flantropik). Nuk është kjo dashuria e Krishtit! Kur Jezusi zbret në ujërat e Jordanit dhe pagëzohet nga Gjon Pagëzuesi, nuk e bën se ka nevojë për pendesë, për kthim; e bën që të vendoset mes njerëzve, nevojtare për falje, ne mes ne mëkatarëve, dhe ngarkohet me peshën e mëkateve tona. Është kjo rruga që ka zgjedhur për të na ngushëlluar, shpëtuar, liruar nga mjerimi ynë. Na trondit që Apostulli thotë që jemi liruar jo përmes pasurisë së Krishtit, por përmes varfërisë së tij. Dhe madje shën Pali njeh mirë “pasuritë e pashqyrtueshme të Krishtit” (Ef 3, 8), “trashëgimtar i të gjitha gjërave” (Heb 1,2).

Çfarë është atëherë kjo varfëri me të cilën Jezusi na liron dhe na bën të pasur? Është pikërisht mënyra e tij për të dashur, aftësia e tij për t’u bërë i afërm me ne si Samaritani i mirë që i afrohet njeriut të lënë gjysmë i vdekur mes rrugës (Lk 10, 25). Ajo çka na jep liri të vërtetë, shpëtim të vërtetë dhe lumturi të vërtetë është dashuria e tij me mëshirë, me butësi dhe bashkëndarje, varfëria e Krishtit që na pasuron është fakti se bëhet mish, se merr mbi vete dobësitë tona, mëkatet tona, duke na dhuruar mëshirën e  pafund të Hyjit. Varfëria e Krishtit është pasuria e tij më e madhe: Jezusi është i pasur me besimin e tij të pakufishëm në Hyjin Atë, me besimin e Atij në çdo moment, duke kërkuar gjithmonë dhe vetëm vullnetin e tij dhe lavdinë e tij. Është i pasur ashtu si është një fëmijë që ndihet i dashur dhe do prindërit e tij dhe nuk dyshon asnjë çast për dashurinë e dhe butësinë e tyre. Pasuria e Jezusit është të qenurit e tij Bir, marrëdhënia unike me Atin është privilegji i këtij Mesie të varfër. Kur Jezusi na fton të marrim mbi ne “zgjedhën e tij të ëmbël”, na fton të pasurohemi më këtë “ varfëri të pasur” dhe “pasuri të varfër”, të bashkëndajmë me Të Shpirtin bijësor dhe vëllazëror, të bëhemi bij në Birin, vëllezër në Vëllain e parëlindur ( Rom 8,29). Është thënë që trishtimi i vërtetë është të mos jemi shenjtër ( Leon Bloy); mund edhe të themi që është vetëm një mjerim: të mos jetojmë si bij të Hyjit dhe vëllezër të Krishtit.

Dëshmia jonë

Mund të mendojmë që kjo “rrugë” e varfërisë ka qenë rruga e Jezusit, ndërsa ne, që vijmë pas Tij, mund të shpëtojmë botën me mjete të përshtatshëm njerëzor. Nuk është kështu. Në çdo epokë dhe në çdo vend, Hyji vazhdon të shpëtojë njerëzit dhe botën përmes varfërisë së Krishtit, i cili bëhet i varfër në Sakramente, në Fjalën dhe në Kishën e tij, që është një popull të varfërish. Pasuria e Hyjit nuk mund të kalojë përmes pasurisë sonë, por gjithmonë dhe vetëm përmes varfërisë sonë, personale dhe bashkësiore, të gjallëruar Shpirtit të Krishtit.

Duke imituar Mësuesin tonë, ne të krishterët jemi të thirrur të shohim mjerimet e vëllezërve, t’i prekim, t’i marrim mbi vete dhe të veprojmë konkretisht për t’i lehtësuar. Mjerimi nuk është varfëria; mjerimi është varfëria pa besim, pa solidaritet, pa shpresë. Mund të dallojmë tre lloje mjerimi: mjerimi material, mjerimi moral dhe mjerimi shpirtëror. Mjerimi material është ai që zakonisht quhet varfëri dhe prek ato që jetojnë në një situatë jo të denjë për personin njerëzor: të privuar nga të drejtat themelore dhe të mirat primare si ushqimi, uji, kushtet higjienike, puna, mundësia e zhvillimit dhe e rritjes kulturore. Përballë këtij mjerimi Kisha ofron shërbimin e saj, diakoninë e saj, për t’iu shkuar në takim nevojave dhe për të shëruar këto plagë që shpërfytyrojnë fytyrën e  njerëzimit. Në të varfrit dhe në të fundit ne shohim fytyrën e Krishtit; duke dashur dhe duke ndihmuar të varfërit duam dhe i shërbejmë Krishtit. Angazhimi ynë orientohet të ndihmojë që të pushojë ne botë dhuna ndaj dinjitetit njerëzor, diskriminimi dhe padrejtësitë, që, në shumë raste janë zanafilla e mjerimit. Kur pushteti, luksi dhe paret bëhen idhuj, i kundërvihen kësaj nevoje për një ndarje të barabartë të pasurive. Prandaj, është e nevojshme që ndërgjegjet të kthehen kah drejtësia, barazia, thjeshtësia dhe bashkëndarja.

Jo më pak shqetësuese është mjerimi moral, që konsiston në mundësinë për t’u bërë skllevër të vesit dhe mëkatit. Sa familje janë në ankth sepse dikush prej anëtarëve – shpesh i riu – është i mposhtur nga alkooli, nga droga, nga lojërat e fatit, nga pornografia! Sa persona kanë humbur kuptimin e jetës, janë pa farë perspektive për të ardhmen dhe kanë humbur shpresën! Dhe sa persona janë të detyruar të pësojnë këtë mjerim nga kushtet shoqërore të padrejta, nga mungesa e punës që i privon nga dinjiteti që dhuron të çuarit e bukës në shtëpi, për mungesën e barazisë për të drejtën e edukimit dhe shëndetit. Në këto raste mjerimi moral mund të quhet vetëvrasje embrionale. Kjo formë mjerimi, që është edhe shkak i shkatërrimit ekonomik, lidhet gjithmonë me mjerimin shpirtëror, që na godet kur largohemi na Hyji dhe refuzojmë dashurinë e tij. Nëse mendojmë se nuk kemi nevojë për Hyjin, që në Krishtin na shtrin dorën, sepse mendojmë se na mjafton vetja, shkojmë drejt rrugës së dështimit. Hyji është i vetmi që vërtet shpëton dhe liron.

Ungjilli është i vetmi kundërhelm kundër mjerimit shpirtëror:i krishteri është i thirrur të çojë në çdo ambient lajmin lirues që ekziston falja e së keqes së bërë, që Hyji është më i madh se mëkati ynë dhe na do falas, gjithmonë, dhe që jemi bërë për bashkësinë dhe jetën e amshuar. Hyji na fton të jemi lajmëtar të gëzueshëm të këtij mesazhi mëshire dhe shprese! Është e bukur të provosh gëzimin e përhapjes së këtij lajmi të mirë, të bashkëndash thesarin që na është besuar, për të ngushëlluar zemrat e plagosura dhe për t’i dhënë shpresë shumë vëllezërve e motrave të mbështjellur nga errësira. Bëhet fjalë për të ndjekur dhe imituar Jezusin, që ka shkuar drejt të varfërve dhe mëkatarëve si bariu drejt deles së humbur, dhe ka shkuar plot dashuri. Të bashkuar me Të mund të hapim me guxim rrugë të reja ungjillëzimi dhe promovimi njerëzor.

Të dashur vëllezër e motra, kjo kohë Kreshmësh, e gjettë mbarë Kishën të gatshme dhe e nxittë për t’u dëshmuar atyre që jetojnë në mjerim material, moral e shpirtëror mesazhin ungjillor, që përmblidhet në shpalljen e dashurisë së Atit të mëshirshëm, i gatshëm për të përqafuar në Krishtin çdo person. Mund ta bëjmë në atë masë sa jemi të ngjashëm me Krishtin, që është bërë i varfër dhe na ka pasuruar me varfërinë e tij. Kreshmët janë një kohë e përshtatshme për zhveshjen; e na bën mirë të pyesim veten nga cilat gjëra mund të privohemi me qëllim që të ndihmojmë të tjerët me varfërinë tonë. Mos të harrojmë që varfëria e vërtet dhemb: nuk do të ishte e vlefshme një zhveshje pa këtë dimension pendestar. Kam dyshime për lëmoshën që nuk kushton dhe nuk dhemb. Shpirti Shenjt, falë të cilit “porsi skamnorë e pra, bëjmë të pasur shumë; si ata që nuk kanë kurrgjë e kemi gjithçka” (2 Kor 6,10), i mbështettë këto qëllime tona dhe forcoftë në ne kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj mjerimit njerëzor, për t’u bërë të mëshirshëm dhe veprues të mëshirës. Me këtë dëshirë, siguroj lutjen time që çdo besimtar dhe çdo bashkësi kishtare të përshkojë me fryt ecjen kreshmore, dhe ju kërkoj të luteni për mua. Që Zoti ju bekoftë dhe Maria ju ruajt.

Nga Vatikani, 26 dhjetor 2013

Festa e Shën Shtjefnit, diakon dhe martir i parë

 

FRANÇESKU



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana