Index   Back Top Print


MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
PËR DITËN E 52 BOTËRORE
TË LUTJES PËR THIRRJET

Tema: Dalja, përvoja themelore e thirrjes

 

Të dashur vëllezër e motra!

E Diela VI e Pashkës na paraqet ikonën e Bariut të Mirë që i njeh delet e veta, i thërret, i ushqen dhe i drejton. Në këtë të Diel, prej më shumë se 50 vjet, jetojmë Ditën Botërore të Lutjes për Thirrjet. Çdo herë ajo na kujton rëndësinë e lutjes që, siç iu tha Jezusi nxënësve të vet, “Zotëria i të korrave ... të dërgojë punëtorë në të korrat e veta” (Lk 10,2). Jezusi e shpreh këtë urdhër në kontekstin e një dërgimi misionar: ka thirrur, përveç dymbëdhjetë apostujve, edhe shtatëdhjetedy nxënës të tjerë dhe i dërgon dy e nga dy për mision (Lk 10,1-16). Në fakt, nëse Kisha “është për natyrën e vet misionare” (Koncili Ekumenik II i Vatikanit, Kusht. Ad gentes, 2), thirrja e krishterë nuk mund të lindë përveçse brenda një përvoje misioni. Kështu, dëgjimi dhe ndjekja e zërit të Krishtit Bariut të Mirë, duke lejuar që të tërhiqemi dhe të drejtohemi nga Ai dhe duke ia kushtuar Atij jetën tonë, do të thotë të lejosh që Shpirti Shenjt të na fusë në këtë dinamizëm misionar, duke ngjallur në ne dëshirën dhe guximin e gëzueshëm për ta ofruar jetën tonë dhe për ta shpenzuar atë për çështjen e Mbretërisë së Hyjit.

Ofrimi i jetës tonë në këtë qëndrim misionar është i mundur vetëm nëse jemi në gjendje që të dalim nga vetvetja. Prandaj, në këtë Ditë të 52-të Botërore të Lutjes për Thirrjet, do të doja të reflektoja pikërisht mbi atë “dalje” të veçantë që është thirrja, apo, më mirë, përgjigjja jonë ndaj thirrjes që Hyji na e dhuron. Kur dëgjojmë fjalën “dalje”, mendimi ynë shkon menjëherë te fillimet e historisë së mrekullueshme të dashurisë mes Hyjit dhe popullit të bijve të tij, një  histori që kalon përmes ditëve dramatike të skllavërisë në Egjipt, thirrjes së Moisiut, çlirimit dhe ecjes drejt tokës së premtuar. Libri i Daljes – libri i dytë i Biblës -, që e tregon këtë histori, paraqet një shëmbëlltyrë të të gjithë historisë së shëlbimin, dhe edhe të dinamikës themelore të fesë së krishterë. Në fakt, kalimi nga skllavëria i njeriut të vjetër në jetën e re në Krishtin është vepra shpëtimtare që ndodh në ne përmes fesë (Ef 4,22-24). Ky kalim është një “dalje” e vërtetë, është ecja e shpirtit të krishterë dhe e mbarë Kishës, orientimi vendimtar i ekzistencës drejtuar Atit.

Në rrënjë të çdo thirrjeje të krishterë ekziston kjo lëvizje themelore e përvojës së fesë: të besosh do të thotë ta lëshosh vetveten, të dalësh nga rehatia dhe nga ashpërsia e unit tonë për ta qendërzuar jetën tonë në Jezu Krishtin; të braktisësh si Abrahami tokën tonë duke u vendosur në ecje me besim, duke e ditur se Hyji do të na e tregojë rrugën drejt tokës së re. Kjo “dalje” nuk duhet kuptuar si një përçmim për jetën tonë, për ndjenjat tona, për njerëzinë tonë; përkundrazi, kush vendoset në ecje në ndjekje të Krishtit e gjen jetën e begatshme, duke e vendosur krejt vetveten në dispozicion të Hyjit dhe të Mbretërisë së tij. Jezusi thotë: «Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur» (Mt 19,29). E gjithë kjo e ka rrënjën e vet të thellë në dashuri. Në fakt, thirrja e krishterë është para së gjithash një thirrje dashurie që të bën për vete dhe të nxjerr jashtë vetes, e heq personin nga përqendrimi mbi vetveten, shkakton “një dalje të përhershme prej unit të mbyllur në vetvete drejt lirimit të tij në dhurimin e vetes, e pikërisht kështu drejt rigjetjes së vetvetes, madje drejt zbulimit të Hyjit” (Benedikti XVI, Letra Enciklike Deus Caritas est, 6).

Përvoja e daljes është paradigma e jetës së krishterë, në veçanti për kë e përqafon një thirrje të një kushtimi të veçantë në shërbim të Ungjillit. Ajo konsiston në një sjellje gjithmonë të përtërirë nga kthimi dhe shndërrimi, në një qëndrim gjithmonë në ecje, në një kalim nga vdekja në jetë ashtu siç e kremtojmë në krejt liturgjinë: është dinamizmi pashkvor. Në thelb, nga thirrja e Abrahamit tek ajo e Moisiut, nga ecja shtegtare e Izraelit në shkretëtirë në kthimin e predikuar nga profetët, deri në udhëtimin misionar të Jezusit që kulmon në vdekjen dhe ngjalljen e tij, thirrja është gjithmonë ai veprim i Hyjit që na bën të dalim nga gjendja jonë fillestare, na çliron nga çdo formë skllavërie, na shkul nga zakonet tona dhe nga mospërfillja dhe na projekton drejt gëzimit të bashkimit me Hyjin dhe me vëllezërit. Përgjigjja ndaj thirrja e Hyjit, pra, është që të lejojmë që Ai të na bëjë të dalim nga qëndrueshmëria e rrejshme për t’u vendosur në ecje drejt Jezu Krishtit, caku i parë dhe i fundit i jetës tonë dhe i lumturisë tonë.

Kjo dinamikë e daljes nuk ka të bëjë vetëm personin e veçantë, që ndjen thirrjen e Zotit, por me veprimin misionar dhe ungjillëzues të të gjithë Kishës. Kisha është vërtet besnike ndaj Mësuesit të saj në masën në të cilën është një Kishë “në dalje”, jo e shqetësuar për veten e saj, për strukturat e veta dhe për fitoret e veta, sesa më tepër për aftësinë e saj për të shkuar, për të lëvizur, për t’i takuar bijtë e Hyjit në gjendjen e tyre të vërtetë dhe të ndjejë dhimbje bashkë me ta për plagët e tyre. Hyji del nga vetvetja në një dinamikë trinitare dashurie, e dëgjon mjerimin e popullit të vet dhe ndërhyn për ta çliruar (Dal 3,7). Në këtë mënyrë të qeni dhe të vepruari është thirrur edhe Kisha: Kisha që ungjillëzon del në takim të njeriut, e shpall fjalën çliruese të Ungjillit, i mjekon me hirin e Hyjit plagët e shpirtit dhe të trupit, i ndihmon të varfrit dhe nevojtarët.

Të dashur vëllezër e motra, kjo dalje çliruese drejt Krishtit dhe drejt vëllezërve përfaqëson edhe rrugën për kuptimin e plotë të njeriut dhe për rritjen njerëzore dhe shoqërore në histori. Ta dëgjosh dhe ta pranosh thirrjen e Zotit nuk është një çështje private dhe intime që mund të ngatërrohet me emocionin e çastit; është një angazhim konkret, i vërtetë dhe i plotë që e përqafon ekzistencën tonë dhe e vë në shërbim të ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit në tokë. Prandaj, thirrja e krishterë, e rrënjosur në kundrimin e zemrës së Atit, na shtyn në të njëjtën kohë drejt angazhimit solidar për çlirimin e vëllezërve, sidomos të atyre më të varfërve. Nxënësi i Jezusit e ka zemrën e hapur para horizontit të tij të pakufishëm, dhe intimiteti i tij me Zotërinë nuk është kurrë një ikje nga jeta dhe nga bota, por, përkundrazi, “konfigurohet në mënyrë thelbësore si bashkim misionar” (Nxitja Apostolike Evangelii Gaudium, 23).

Kjo dinamikë daljeje, drejt Hyjit dhe drejt njeriut, e mbush jetën me gëzim dhe kuptim. Do të doja t’ia thosha këtë sidomos më të rinjve që, edhe për moshën e tyre të re dhe për vizionin e të ardhmes që shpaloset përpara syve të tyre, dinë të jenë të gatshëm dhe bujare. Nganjëherë të panjohurat dhe shqetësimet për të ardhmen dhe pasiguria që e prek përditshmërinë rrezikojnë t’i paralizojnë hovet e tyre, t’i ndalin ëndrrat e tyre, deri në pikën që të mendojnë se nuk ia vlen mundi të angazhohen dhe se Hyji i fesë së krishterë e kufizon lirinë e tyre. Përkundrazi, të dashur të rinj, të mos jetë në ju frika për të dalë nga vetvetja dhe për t’u vënë në ecje! Ungjilli është Fjala që e çliron, e shndërron dhe e bën më të bukur jetën tonë. Sa bukur është të lejoni të befasoheni nga thirrja e Hyjit, ta pranoni Fjalën e tij, t’i vendosni hapat e ekzistencës tuaj mbi gjurmët e Jezusit, në adhurimin e misterit hyjnor dhe në përkushtimin bujar ndaj të tjerëve! Jeta juaj do të bëhet çdo ditë më e pasur e më e gëzueshme!

Virgjëra Mari, modeli i çdo thirrjeje, nuk pati frikë ta shpallte “fiat”-in e saj ndaj thirrjes së Zotit. Ajo na shoqëron dhe na udhëheq. Me guximin bujar të fesë, Maria ka kënduar gëzimin e daljes nga vetvetja dhe besimin e projekteve të saj për jetën Hyjit. Asaj i drejtohemi që të jemi plotësisht të gatshëm për planin që Hyji e ka për secilin prej nesh; që të rritet në ne dëshira për të dalë e për të shkuar, me përkushtim, drejt të tjerëve (krh. Lk 1,39). Virgjëra Nënë na mbrojttë dhe ndërmjetësoftë për të gjithë ne.

Nga Vatikani, 29 mars 2015
E Diela e Larit

Papa Françesku

  

 


© Copyright - Libreria Editrice Vaticana