Index   Back Top Print

[ DE  - EN  - ES  - FR  - HR  - IT  - PL  - PT  - SK  - SQ  - UK  - ZH ]

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË, FRANÇESKUT,

ME RASTIN E DITËS XXIX BOTËRORE TË RINISË 2014

«Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e qiellit» (Mt5,3)

 

Të dashur të rinj e të reja,

është i ngulitur në kujtesën time takimi i jashtëzakonshëm që e jetuam në Rio de Zhaneiro, me rastin e Ditës XXVIII Botërore të Rinisë: një festë e madhe besimi dhe vëllazërie! Populli i mirë brazilian na priti me krahët hapur, ashtu si truporja e Krishtit Shëlbues, që, prej sipër kodrës Korkovado, e sundon pamjen e mrekullueshme të plazhit të Kopakabanës. Mbi bregun e detit, Jezusi e ka përtërirë thirrjen e tij, derisa secili prej nesh të bëhet nxënësi i tij misionar, që ta zbulojë atë si thesarin më të çmuar të jetës së vet dhe ta bashkëndajë këtë pasuri me të tjerët, të afërm e të largët, deri në skajet më të largëta gjeografike dhe ekzistenciale të kohës tonë.

Faza tjetër e shtegtimit ndërkontinental të të rinjve do të jetë në Krakov të Polonisë, në vitin 2016. Për ta shqyrtuar ecjen tonë, në tre vitet e ardhshme, do të doja që të meditoja bashkë me ju për Lumturitë ungjillore, që i lexojmë në Ungjillin sipas Mateut (5,1-12). Në këtë vit, do të meditojmë për të parën: “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiellit” (Mt 5,3); për vitin 2015, propozoj “Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5,8); dhe në fund, në vitin 2016, tema do të jetë “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).

1. Fuqia revolucionare e Lumturive

Na bën gjithmonë shumë mirë leximi dhe meditimi i Lumturive! Jezusi i ka shpallur ato në predikimin e tij të parë të madh, në bregun e detit të Galilesë. Aty ishte një turmë e madhe dhe Ai u ngjit mbi kodër, që t’i mësonte nxënësit e vet. Prandaj, ai predikim quhet “fjalimi i malit”. Në Bibël, mali shihet si vendi ku zbulohet Hyji dhe Jezusi që predikon mbi kodër paraqitet si mësuesi hyjnor, si Moisiu i ri. E çfarë komunikon? Jezusi komunikon rrugën e jetës, atë rrugë që Ai vetë e përshkon, madje që Ai vetë është, dhe e propozon si udhën e lumturisë së vërtetë. Në krejt jetën e tij, që nga lindja në shpellën e Betlehemit deri në vdekjen në kryq dhe në ringjallje, Jezusi i ka mishëruar Lumturitë. Të gjitha premtimet e Mbretërisë së Hyjit janë përmbushur në të.

Me shpalljen e Lumturive, Jezusi na fton që ta ndjekim, që ta përshkojmë me Të rrugën e dashurisë, të vetmen që na drejton në jetën e pasosur. Nuk është një rrugë e lehtë, por Zoti na e jep hirin e tij dhe nuk na lë kurrë vetëm. Varfëria, mundimet, poshtërimet, lufta për drejtësi, lodhjet e kthimit të përditshëm, luftimet për ta jetuar thirrjen e shenjtërisë, përndjekjet dhe shumë sfida të tjera janë të pranishme në jetën tonë. Mirëpo, nëse ia hapim derën Jezusit, nëse e lejojmë që Ai të jetë brenda historisë tonë, nëse i bashkëndajmë me Të gëzimet dhe dhimbjet, do ta provojmë një paqe dhe një gëzim që vetëm Hyji, dashuria e pafund, mund ta japë.

Lumturitë e Jezusit janë bartëset e një risie revolucionare, të një modeli të lumturisë që i kundërshton atij që na komunikohet zakonisht nga mediat, nga mendimi sundues. Për mendësinë e botës, është shkandull që Hyji erdhi dhe u bë një prej nesh, që vdiq mbi kryq! Në logjikën e kësaj bote, ata, që Jezusi i shpall të lumë, konsiderohen “humbës”, të dobët. Përkundrazi, lartësohen suksesi me çdo kusht, mirëqenia, arroganca e pushtetit, vetëpohimi i vetvetes në kurriz të të tjerëve.

Të dashur të rinj, Jezusi na pyet se përse i përgjigjemi propozimit të tij për jetën, përse vendosim se cilën rrugë duam të përshkojmë për ta arritur gëzimin e vërtetë. Bëhet fjalë për një sfidë të madhe besimi. Jezusi nuk pati frikë t’i pyeste nxënësit e tij nëse donin vërtet ta ndiqnin apo mos donin të shkonin nëpër rrugë të tjera (krh Gjn 6,67). Dhe Simoni, i quajtur Pjetër, pati guximin të përgjigjej: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur” (Gjn 6,68). Nëse do të dini edhe ju që t’i thoni “po” Jezusit, jeta juaj e re do të mbushet me kuptim, e kështu do të jetë e frytshme.

2. Guximi i lumturisë

Po çfarë do të thotë “i lumë” (në greqisht makarioi)? Të lumë do të thotë të lumtur. Më thoni: a aspironi vërtet për lumturi? Në një kohë ku tërhiqemi nga shumë dukje të lumturisë, rrezikojmë që të kënaqemi pak, të kemi një ide “të vogël” për jetën. Përkundrazi, aspironi gjëra të mëdha! Zgjerojini zemrat tuaja! Siç thoshte i lumi Pierxhorxho Frasati, “të jetosh pa besim, pa një pasuri që ta mbrosh, pa e mbështetur të vërtetën përmes një lufte të vazhdueshme, nuk është të jetosh, por të mbijetosh me mundim. Ne nuk duhet kurrë të mbijetojmë me mundim, por të jetojmë» (Letra drejtuar I. Boninit, 27 shkurt 1925). Në ditën e Lumturimit të Pierxhorxho Frasatit, më 20 maj 1990, Papa Gjon Pali II e quajti atë “njeriu i Lumturive” (Homelia gjatë Meshës së shenjtë: AAS82 [1990], 1518).

Nëse vërtet lejoni që të dalin aspiratat më të thella të zemrës tuaj, ju do ta kuptoni se në ju ka një dëshirë të paepur lumturie, dhe kjo do t’ju lejojë që t’ua hiqni maskën dhe t’i refuzoni ofertat e shumta “me çmim të ulët” që i gjeni përreth jush. Kur kërkojmë suksesin, kënaqësinë, pasurinë në mënyrë egoiste dhe kur bëjmë idhuj, mund të provojmë edhe momente dehjeje, një ndjenjë të rrejshme përmbushjeje; por në fund kthehemi në skllevër, nuk jemi kurrë të kënaqur, shtyhemi që të kërkojmë gjithmonë më shumë. Është shumë e trishtueshme të shohësh një rini “të ngopur”, por të dobët.

Shën Gjoni, kur iu shkruante të rinjve, thoshte: “Jeni të fortë e fjala e Hyjit është në ju dhe e mundët Djallin” (1 Gjn 2,14). Të rinjtë që e zgjedhin Krishtin janë të fortë, ushqehen me Fjalën e tij dhe nuk “kënaqen” me gjëra të tjera! Kini guxim që të shkoni kundër rrymës. Kini guxim për lumturinë e vërtetë! Thuajini jo kulturës së të përkohshmes, të sipërfaqësisë dhe të mbeturinave, që nuk ju aftëson që të merrni përgjegjësi dhe t’i përballoni sfidat e jetës!

3. Lum skamnorët në shpirt...

Lumturia e parë, tema e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, i shpall të lumtur të varfrit (skamnorët) në shpirt, sepse atyre iu përket Mbretëria e qiellit. Në një kohë ku shumë njerëz vuajnë për shkak të krizës ekonomike, t’i vësh pranë njëra-tjetrës varfërinë dhe lumturinë mund të duket si një gjë e pavend. Në çfarë kuptimi mund ta perceptojmë varfërinë si një bekim?

Para së gjithash, të kërkojmë të kuptojmë se çfarë do të thotë “të varfër në shpirt”. Kur Biri i Hyjit u bë njeri, Ai zgjodhi një rrugë varfërie, zhveshjeje. Siç thotë Shën Pali në Letrën drejtuar Filipianëve: “Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri” (2,5-7). Jezusi është Hyji që zhvishet nga lavdia e tij. Këtu shohim zgjedhjen e varfërisë së Hyjit: nga i pasur që ishte, u bë i varfër për të na pasuruar me varfërinë e tij (krh 2 Kor 8,9). Është misteri që ne e kundrojmë në grazhd, duke e parë Birin e Hyjit të vendosur në kashtë; e pastaj në kryq, ku zhveshja arrin kulmin.

Mbiemri grek ptochós(i varfër) nuk ka një kuptim vetëm material, por do të thotë “lypës”. Lidhet me konceptin hebre anawim, “të varfrit e Jahveut”, që bën thirrje për përvujtëri, vetëdijesim për kufizimet e veta, për kushtet e veta ekzistenciale të varfërisë. Anawim-ët i besohen Hyjit, dinë të varen prej Tij.

Jezusi, siç ka ditur ta shohë mirë Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, në Mishërimin e tij paraqitet si një lypës, një nevojtar në kërkim të dashurisë. Katekizmi i Kishës Katolike flet për njeriun si “lypës i Hyjit” (n. 2559) dhe na thotë se lutja është takimi i etjes së Hyjit me etjen tonë (n. 2560).

Shën Françesku i Asizit e ka kuptuar shumë mirë sekretin e Lumturisë së skamnorëve në shpirt. Në fakt, kur Jezusi i foli në personin e të gërbulurit dhe në Kryq, ai e njohu madhërinë e Hyjit dhe gjendjen e vet të përvujtërisë. Në lutjen e tij, Varfanjaku i Asizit kalonte orë duke e pyetur Zotërinë: “Kush je ti? Kush jam unë?”. U zhvesh prej jetës së pasur e të shkujdesur për t’u martuar me “Zonjën Varfëri”, për ta imituar Jezusin dhe për ta ndjekur Ungjillin fjalë për fjalë. Françesku i ka jetuar imitimin e Krishtit të varfër dhe dashurinë për të varfrit në mënyrë të pandashme, si dy anët e të njëjtës medalje.

Ju, pra, mund të më pyesni: si mundemi konkretisht të bëjmë që kjo varfëri në shpirt të shndërrohet në mënyrë jete, të gdhendet konkretisht në ekzistencën tonë? Po ju përgjigjem në tre pika.

Para së gjithash, kërkoni që të jeni të lirë përballë gjërave. Zoti na thërret në një mënyrë jete ungjillore që shënjohet nga vetëpërmbajtja për të mos rënë në kulturën e konsumit. Bëhet fjalë që të kërkojmë atë që është thelbësore, të mësojmë të zhvishemi nga shumë gjëra të tepërta e të padobishme që na mbysin. Të shkëputemi nga dëshira për të pasur, nga paraja e kthyer në idhujtari e pastaj e shkapërderdhur. Ta vendosim Jezusin në vendin e parë. Ai mund të na lirojë nga idhujtaritë që na bëjnë skllevër. Besojuni Hyjit, të dashur të rinj! Ai na njeh, na do dhe nuk na harron kurrë. Siç propanon për lilat e fushës (krh Mt 6,28), do të bëjë që të mos na mungojë asgjë! Edhe për kapërcimin e krizës ekonomike duhet të jemi gati që ta ndryshojmë mënyrën e jetesës, t’i shmangim shpërdorimet e shumta. Ashtu siç është i nevojshëm guximi për lumturi, ashtu duhet edhe guximi për vetëpërmbajtje.

Në radhë të dytë, për ta jetuar këtë Lumturi, të gjithë kemi nevojë për kthim për sa i përket të varfërve. Duhet të kujdesemi për ta, të jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre shpirtërore dhe materiale. Juve të rinjve jua besoj në mënyrë të veçantë detyrën që ta rivendosni solidaritetin në qendër të kulturës njerëzore. Përballë formave të vjetra dhe të reja të varfërisë – papunësia, emigracioni, varësitë e shumta të llojeve të ndryshme – kemi nevojë që të jemi vigjilentë dhe të vetëdijshëm, duke fituar mbi tundimin e mospërfilljes (indiferencës). Të mendojmë edhe për ata që nuk ndihen të dashur, që nuk kanë shpresë për të ardhmen, që refuzojnë të angazhohen në jetë sepse janë të shkurajuar, të zhgënjyer, të frikësuar. Duhet të mësojmë të rrimë me të varfrit. Të mos e mbushim gojën plot me fjalë të bukura për të varfrit! T’i takojmë, t’i shohim në sy, t’i dëgjojmë. Të varfrit janë për ne një rast konkret i takimit me vetë Krishtin, ku e prekim mishin e trupit të tij që vuan.

Por – dhe kjo është pika e tretë – të varfrit nuk janë vetëm njerëz të cilëve mund t’u japim diçka. Edhe ata kanë shumë për të na ofruar, për të na mësuar. Kemi shumë për të mësuar nga urtia e të varfërve! Mendoni që një shenjt i shekullit XVIII, Benedikt Jozef Labre, i cili flinte nëpër rrugët e Romës dhe jetonte prej lëmoshës së njerëzve, u bë këshilluesi shpirtëror i shumë njerëzve, mes të cilëve edhe fisnikë e prelatë. Në njëfarë mënyrë, të varfrit janë si mësuesit për ne. Na mësojnë se një njeri nuk vlen për atë që zotëron, për aq sa ka në llogarinë bankare. Një i varfër, një njeri pa të mira materiale, e ruan përgjithmonë dinjitetin e vet. Të varfrit mund të na mësojnë shumë edhe për përvujtërinë dhe besimin në Hyjin. Në shëmbëlltyrën e fariseut dhe tagrambledhësit (Lk 18,9-14), Jezusi e paraqet këtë të fundit si model sepse është i përvuajtur dhe e njeh veten si mëkatar. Edhe vejusha që i qet vetëm dy monedha të vogla në thesarin e Tempullit është shembulli i bujarisë së atij që, edhe pse ka pak apo asgjë, jep gjithçka (Lk 21,1-4).

4.… sepse e tyre është Mbretëria e qiellit.

Tema qendrore e Ungjillit të Jezusit është Mbretëria e Hyjit. Jezusi është vetë Mbretëria e Hyjit, është Emanueli, Hyji me ne. Dhe është në zemër të njeriut që themelohet dhe rritet Mbretëria, autoriteti i Hyjit. Mbretëria është në të njëjtën kohë dhuratë dhe premtim. Na është dhënë tashmë në Jezusin, por duhet ende të përmbushet në plotësi. Prandaj, çdo ditë i lutemi Atit: “Ardhtë Mbretëria jote”.

Ekziston në lidhje e thellë mes varfërisë dhe ungjillëzimit, mes temës së kaluar të Ditës Botërore të Rinisë – “Shkoni e bëni nxënës të gjithë popujt” (Mt 28,19) – dhe atij të këtij viti: “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiellit” (Mt5,3). Zotëria e do një Kishë të varfër që i ungjillëzon të varfrit. Kur i dërgoi të Dymbëdhjetët në mision, Jezusi u tha atyre: “Mos grumbulloni në brezat tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë për ushqimin e vet” (Mt10,9-10). Varfëria ungjillore është kushti themelor për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Gëzimet më të bukura dhe më spontane që kam parë në rrjedhën e jetës time janë ato të njerëzve të varfër që kanë pak gjëra ku të mbahen. Ungjillëzimi, në kohën tonë, do të jetë i mundur për shkak të ‘sëmundjes ngjitëse’ të gëzimit.

Siç e kemi parë, Lumturia e skamnorëve në shpirt e orienton marrëdhënien tonë me Hyjin, me të mirat materiale dhe me të varfrit. Përpara shembullit dhe fjalëve të Jezusit, vëmë re se sa nevojë kemi për kthim, që të bëjmë të mundur që mbi logjikën e të pasurit më shumë të mbizotërojë ajo e të qenurit më shumë! Shenjtërit janë ata që më së shumti mund të na ndihmojnë që ta kuptojmë domethënien e thelë të Lumturive. Kanonizimi i Papa Gjon Palit II në të dielën e dytë të Pashkëve, në këtë kuptim, është një ngjarje që e mbush zemrën tonë me gëzim. Ai do të jetë pajtori i madh i Ditëve Botërore të Rinisë, për të cilat ka qenë nismëtar dhe drejtues. Dhe në shoqërinë e shenjtërve do të vazhdojë të jetë për të gjithë ju një atë dhe mik.

Gjatë muajit prill përkujtohet edhe tridhjetëvjetori i dorëzimit të Kryqit të Jubileut të Shëlbimit të rinjve. Pikërisht, duke nisur nga ai veprim simbolik i Papa Gjon Palit II nisi shtegtimi i madh rinor, i cili që nga ajo kohë vazhdon t’i përshkojë të pesë kontinentet. Shumë i kujtojnë fjalët me të cilat Papa, në të dielën e Pashkëve të vitit 1984, e shoqëroi gjestin e tij: “Fort të dashur të rinj e të reja, në fund të Vitit të Shenjtë jua besoj juve vetë shenjën e këtij Viti Jubilar: Kryqin e Krishtit! Dërgojeni në botë, si shenjë e dashurisë së Zotërisë Jezus për njerëzimin, dhe shpalljani të gjithëve se vetëm në Krishtin e vdekur dhe të ringjallur ka shpëtim dhe shëlbim”.

Të dashur të rinj e të reja, lutja Magnificat, kënga e Marisë, skamnore në shpirt, është edhe kënga e kujtdo që i jeton Lumturitë. Gëzimi i Ungjillit buron nga një zemër skamnore, që di të ngazëllehet dhe të mrekullohet për veprat e Hyjit, si zemra e Virgjërës Mari, që të gjitha breznitë do ta quajnë “të lumtur” (krh Lk 1,48). Ajo, Nëna e skamnorëve dhe Ylli i ungjillëzimit të ri, na ndihmoftë që ta jetojmë Ungjillin, t’i mishërojmë Lumturitë në jetën tonë, që ta kemi guximin e lumturisë.

Nga Vatikani, më 21 janar 2014, përkujtimi i Shën Anjezës, virgjër e martire.

 

FRANÇESKU



Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana